Një statujë në formën e Herkulit, heroit të mitologjisë greke, u zbulua gjatë punimeve të riparimit të kanalizimeve pranë Rrugës Appiane, rruga e parë publike kryesore e Romës së lashtë.
Zbulimi u bë gjatë kohës kur po gërmohej për tubat e vjetër që duheshin zëvendësuar. Pas kësaj kanë ndërhyrë menjëherë arkeologët që të mbikëqyrnin punën.
“Kjo skulpturë u shfaq dhe më pas u njoh menjëherë si një personazhi i Herkulit,” tha për Reuters Francesca Romana Paolillo, një arkeologe në parkun Appia Antica.
Skulptura e mermerit, e cila tregon një figurë të ngjashme me Herkulin si të veshur me një lëkurë luani dhe markën e heroit, u zbulua më 25 janar në Scott Park, pjesë e zonës së gjelbër të Appia Antica.
Skulptura ka një ngjashmëri me perandorin Decius, i cili sundoi Romën nga viti 249 deri në 251 pas Krishtit, tha Paolillo, duke shtuar se objekti i zbuluar mund t’i përkasë edhe udhëheqësve romakë.
Statuja, e përbërë nga disa copa të thyera dhe e dëmtuar gjatë zbulimit të saj aksidental, aktualisht është duke u pastruar dhe restauruar.
Reuters e pa statujën ndërsa ruhej në një rezervuar uji të lashtë romak që tani është shndërruar në një depo. Pasi të riparohet, statuja pritet të ekspozohet në një hapësirë publike. Decius ishte perandori i parë romak që u vra në betejë duke luftuar kundër gotëve në atë që sot është Bullgaria.
Kur bëhet fjalë për historinë e lashtë të Romës, zbulimet aksidentale të thesareve arkeologjike nuk janë të rralla kur gërmohen rrugët ose parqet e qytetit.
Në janar, arkeologët thanë se kishin hequr dorë nga kërkimi për mbetjet në Rrugën Apiane, sepse ujërat nëntokësore e bënin të pamundur gërmimin e thellë.