Sulmohet politikani në Gjermani

schedule14:21 - 17 Korrik, 2019

schedule 14:21 - 17 Korrik, 2019

 

Një muaj pas vrasjes së politikanit gjerman nga radhët e CDU-së Valter Lubke, një tjetër politikan është bërë objekt i një sulmi të dhunshëm. Kryebashkiaku i Hokenheim ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi një i panjohur e qëlloi para shtëpisë së tij.

Një tjetër akt i pakuptueshëm dhune ndaj një përfaqësuesi të politikës vendore në Gjermani. Një i panjohur plagosi rëndë kryebashkiakun e Hockenheim para derës së banesës së tij. Sulmi ndodhi mbrëmjen e së martës.

Dikush i ra derës së shtëpisë së politikanit 67 vjeçar Dieter Gummer, i cili vjen nga radhët e socialdemokratëve. Ndërsa politikani po i afrohej kopshtit të banesës së tij, agresori hyri nëpërmjet gardhit të hapur dhe e goditi me grusht në fytyrë.

Gjatë rënies Gummer përplasi kokën në tokë, e tashmë është shtruar në spital. Agresori më pas arriti të largohej nga vendngjarja në këmbë. Zëdhënësi i policisë vendore deklaroi se po hetohet në të gjitha drejtimet. Gumer kryebashkiak i Hokenheim që nga viti 2004 po përgatitej  të largohej nga posti i tij në muajin gusht për shkak të moshës së madhe.

Të dielën e ardhshme do të mbahen dhe zgjedhjet për pasardhësin e tij.

Sulmi ndaj Dieter Gummer ndodh një muaj pas vrasjes së politikanit të CDU-së Valter Luebke, i vrarë nga një ekstremist i së djathtës për shkak të qëndrimit të tij pro emigrantëve. Por përjashtohet fakti që të dyja ngjarjet të kenë të njëjtin autor pasi dy javë më parë policia arrestoi një 45 vjeçar për vrasjen e Luebkes.

Ai u vra pak pas mesnatës së 3 qershorit teksa ndodhej në kopshtin e shtëpisë së tij në qytetin e Kasel. Ndërkohë politikanë të tjerë vendor në Gjermani kanë marrë kërcënime me vdekje./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!