Kundërshtari i Partizanit në rast dalje nga Champions

schedule11:42 - 17 Korrik, 2019

schedule 11:42 - 17 Korrik, 2019

Në rast se nuk ia del në Champions, Partizani do ndeshet me një skuadër nga Moldavia në Ligën e Europës. Përballë të kuqve mund të jetë Sherifi i Tiraspolit.

Nuk e mendon eiminimin, por nëse ndodh, tashmë e njeh kundërshtarin. Partizani do të ketë një rival nga Moldavia në raundin e dytë të Ligës së Europës, ku do të kalojë nëse mundet nga Karabaku.

Kështu parashikon rregullorja e UEFA-s për kupat kontinentale dhe Sherifi i Tiraspolit zbriti nga Championsi në Europa Ligë, pasi dështoi ndaj skuadrës gjeorgjiane Saburtalo.

Moldavët fituan 3-1 në Gjeorgji, por as kjo nuk mjaftoi sepse ishin mundur 0-3 në fushën e tyre. Ata patën shpresa të forta sepse arritën në epërsinë 3-0 në vetëm 11 minuta lojë, diçka që nuk dihet nëse ka rënë në sy të BetRadarit, dhe nëse ka pasur lëvizje jonormale të koeficientëve.

Për Sherifin, golin e parë e shënoi ish-lojtari i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa më pas pati një autogol dhe rrjetë të shënuar nga Robert Tambe. Saburtalo arriti kualifikimin e çmuar falë golit të ish-sulmuesit të Kamzës, Ognjen Roloviç.

Dy vjet më parë, Sherifi i Tiraspolit u ndesh me Kukësin dhe u kualifikua, po në Champions. Ajo fitoi 1-0 në fushën e tij në Moldavi, ndërsa në “Elbasan Arena” triumfoi 2-1 skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka, e cila nuk pati fat duke humbur penallti, e duke goditur shtyllën./ABC News Albania 24/7