Gjelosh Krasniqi, një prej bashkëpunëtorëve për vrasjen e Briken Sanajt në zonën Kodra e Diellit në Tiranë në tetor të vitit të kaluar është arrestuar në Pejë. Krasniqi ndodhet në “arrest me burg” për 48 orë, ndërsa prokuroria do kërkojë ‘arrest me burg’ për 30 ditë, siç e parashikon Kodi Penal në Kosovë.
Më pas, pritet që të kryhen procedurat me qëllim ekstradimin e tij drejt Tiranës. Në pranga është vënë edhe një tjetër person në Pejë, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, i cili dyshohet se ka ndihmuar 49 vjeçarin që të strehohet për të shmangur arrestimin nga autoritetet.
LEXO EDHE: Vrasja për hakmarrje te ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë, dy të arrestuar në Kosovë
Si u zbulua përfshirja e Krasniqit në vrasjen e Briken Sanajt?
Siç raporton gazetarja Xhensila Kodra, kanë qenë kamerat e sigurisë që i kanë bërë “gjëmën” 49 vjeçarit nga Kosova. Ai është kapur nga kamerat e sigurisë në një lokal në zonën e Lezhës ku Krasniqi dhe Kened Antoni, kishin kryer një takim me Valmir Kolën, autorin e dyshuar të vrasjes së Sanajt.
Ata ishin takuar për të kryer aktin e shitblerjes së makinës tip Benz vetëm një javë para se të kryhej vrasja e Briken Sanajt. /abcnews.al