Gjelosh Krasniqi, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Briken Sanajt në tetor të vitit të shkuar në Tiranë, është arrestuar në Pejë. 49 vjeçari, i lindur dhe banues në Pejë, ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë shqiptare si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Krasniqi dhe Kened Antoni ishin personat që shitën makinën e përdorur në vrasje tek Valmir Kola, i njohur dhe me emrin Vladimir, autori kryesor i vrasjes. Antoni i shiti automjetin “Mercedez Benz” Gjelosh Krasniqit në 24 tetor, dhe po atë ditë mjeti është futur nga Kosova në Shqipëri dhe i është vënë në dispozicion Vladimir Kolës.
Si ndodhi vrasja?
Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e 30 tetorit. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm, e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri. Më pas u larguan me një makinë tip “Mercedez Benz, të ndihmuar nga një i tretë.
Atentati ka qenë i mirëmenduar që në Belgjikë, aty ku prej vitesh jetonte Valmir Kola. Nga të dhënat e Europol, ka rezultuar se një javë para se të ndodhte ngjarja, Kola kishte udhëtuar nga Belgjika drejt shtetit të Spanjës me avion dhe më pas në drejtim të Malit të Zi.
Më pas, ai ka hyrë në mënyrë ilegale në vendin tonë, ku më datë 24 tetor, 6 ditë para vrasjes, është takuar në Shëngjin me dy shtetasit kosovarë që u bleu makinën Mercedes Benz që përdori në krim. Kola ka udhëtuar nga Shëngjini në Tiranë me këtë makinë dhe ka vëzhguar zonën në Kodrën e Diellit, ku kreu dhe vrasjen.
Pasi kreu vrasjen, Valmir Kola u largua sërish drejt Belgjikës 3 ditë pas krimit në mënyrë ilegale. Sipas policisë, vrasja e Briken Sanajt është kryer për hakmarrje. Konflikti mes dy familjeve ka nisur 10 vite më parë për shkak të ngacmimit të një vajze. Në atë kohë, në sherr janë përfshirë vëllai i viktimës me vëllain e autorit. /abcnews.al