Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Kastriot Dermaku është entuziast për aventurën në kampionatin italian me skuadrën e Parmës. Dermaku zbulon se ka marre disa oferta të tjera në Serinë A, por në fund zgjodhi Parmën.
Mbrojtësi Kastriot Dermaku është futbollisti i radhës i Kombëtares që i shtohet Serisë A. Shtatlarti do të luajë sezonin e ardhshëm me skuadrën e Parmës çka përbën edhe ngjitjen më të lartë në karrierën e tij. Në intervistën e tij të parë për skuadrën italiane, Dermaku zbulon objektivin e tij në sezonin e parë si dhe prapaskenat e merkatos, pasi në drejtim të tij ka patur oferta edhe nga klube të tjera.
Kam ardhur tek Parma më shumë entuziazëm dhe besimin se kam arritur në këtë ligë për të qëndruar gjatë. Arma ime më e fortë është aspekti fizik dhe shpresoj të përshtatem shpejt. Kam ende shumë për të mësuar dhe do të përfitoj nga futbollistët e mëdhenj që kam në skuadër. Vij me përulësi dhe do të zbuloj të gjitha pikat e forta dhe të dobëta në Serinë A. Kam patur disa oferta të tjera nga skuadrat italiane, por kur u informova për interesimin e Parmës e konsiderova si mundësinë më të mirë për mua dhe nuk hezitova ta pranoja. E rëndësishme në futboll është të kesh mentalitetin pozitiv pasi çdo sezon do ta nisësh nga e para.
Dermaku ka qenë më parë pjesë e Empolit, një aventurë e cila nuk ishte aspak pozitive për 27 vjeçarin. Sa i përket ekipit kombëtar, Dermaku cilësohet mjaft i rëndësishëm nga trajneri Edi Reja. /ABC News Albania 24/7