PD: Edi Rama jep me koncesion kontrollin e pompave të karburantit

schedule17:00 - 16 Korrik, 2019

schedule 17:00 - 16 Korrik, 2019

Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka shkelur ligjin dhe vendimin e gjykatave duke e dhënë me koncesion kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant. Ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj tha se ky koncesion i heq arkës së shtetit 100 milionë euro për 20 vjet dhe ia jep ato klientëve të kryeministrit.

Monopol i ri në tregun e hidrokarbureve. Është ky denoncimi i radhës nga selia e Partisë Demokratike. Sipas ish deputetit Agron Shehaj qeveria ka dhënë me koncesion kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant në kundërshtim me vendimin e datës 27 maj 2019 të Gjykatës Administrative të Tiranës e cila vendosi pezullimin e tenderit.

“Gjykata ka anuluar tenderin sepse “kriteret e dokumentacionit të koncesionit janë në kundërshtim me ligjin në fuqi” dhe urdhëron ministrinë të “ndryshojë kriteret dhe të fillojë tenderin nga fillimi”.

Pompat e karburantit praktikisht, kontrollojnë shitësin që të mos mashtrojë konsumatorin në sasinë e karburantit. Aktualisht kontrolli bëhet 2 herë në vit dhe qeveria arkëton pothuajse 60 euro për çdo kontroll sqaron ish deputeti demokrat.

  “Sot ky shërbim bëhet nga Drejtoria  e Metrologjisë dhe sjell në arkat e shtetit rreth 5 milionë euro në vit. Me dhënien e këtij shërbimi në koncesion, nëse nuk ndryshon tarifa, kompania e përzgjedhur nga Rama do të përfitojë këtë shumë për 20 vitet e ardhshme. Praktikisht 100 milionë euro nuk do të shkojnë më në arkën e shtetit por në xhepat e Ramës dhe miqve te tij”.

Duke treguar edhe procedurën që është ndjekur ish deputeti i Partisë Demokratike nënvizon se është ministria e Financave ajo që ka shkelur ligjin dhe ka shpërfillur vendimin e Gjykatës. Koncesioni i heq arkës së shtetit 100 milionë euro për 20 vjet dhe ia jep ato klientëve të Edi Ramës dhe familjes së tij deklaron Agron Shehaj.

“Investimi është prej vetëm 600.000 euro, kurse përfitimet janë shumë herë më të mëdha, 100 milionë euro. Kohëzgjatja prej 20-vjetesh është e pajustifikueshme, ka si qëllim vetëm krijimin e një monopoli”.

Partia Demokratike bën të ditur se ky koncension dhe të gjithë të tjerët që janë në kundërshtim me ligjin do të anulohen në të ardhmen./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!