Arabia Saudite planifikon të investojë më shumë se 266 miliardë dollarë për të prodhuar energji elektrike “më të pastër” dhe për të zgjeruar rrjetin e saj të energjisë, njoftoi sot ministri i energjisë së mbretërisë.
Duke folur në një konferencë të organizuar nga gjigandi saudit i naftës Aramco, Princi Abdulaziz bin Salman shtoi se eksportuesi më i madh në botë i naftës bruto dëshiron gjithashtu të bëhet një lider botëror në prodhimin e hidrogjenit.
“266 miliardë dollarë që do të investohen deri në vitin 2030 dhe duhet të përmbushin planet tona që synojnë krijimin e formave më të pastra të burimeve në mbretëri, si dhe zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike”, tha ai.
“Në frontin e hidrogjenit ne jemi të vendosur të jemi eksportuesi i parë si dhe të ofrojmë energji të pastër për përdorim vendas në industritë e rënda për të prodhuar produkte të gjelbërta ,” tha ai në konferencën e mbajtur në Dhahran, në anën lindore të mbretërisë.
Arabia Saudite gjithashtu dëshiron të shtojë përpjekjet për të gjetur zgjidhje në fushën e karbonit. “Ne nuk do të ndërtojmë termocentrale të ardhshme p karboni”, tha ministri.
Pavarësisht nga qëllimi i saj për të arritur emetimet zero të karbonit deri në vitin 2060, Arabia Saudite mbetet shumë e varur nga eksportet e naftës së papërpunuar që nxitën rritjen e saj për dekada, duke ngritur dyshime për potencialin për një kthesë ekonomike në afatin e afërt. /abcnews.al