Chernobyl, vret veten një nga heronjtë e ndërhyrjes

schedule13:30 - 16 Korrik, 2019

schedule 13:30 - 16 Korrik, 2019

Një 61 vjeçar, pjesë e grupit që punoi në zonën e shpërthimit në Chernobyl, për të kufizuar pasojat e tragjedisë, ka vrarë veten. Sipas familjarëve ai u ndje i poshtëruar kur përjetoi sërish atë që kishte ndodhur dhe se si shteti e kishte braktisur, pas transmetimit të serialit televiziv të bazuar në ngjarjen e 26 prillit 1986.

Një nga heronjtë e Chernobyl, i cili punoi për të siguruar reaktorin 4 pas shpërthimit të 26 prillit 1986, e që u kthye në një nga protagonistët e serialit televiziv të transmetuar në të gjithë botën, vrau veten pasi përjetoi sërish dramën duke e parë nga ekrani i televizorit. Ngjarja u konfirmua nga vajza e tij 25 vjeçare e cila foli për britaniken Daily Mail. Ndërsa miqtë e tij u shprehën se ai u ndje i mashtruar nga qeveria.

E bija tregon se ai e kishte parë serialin me familjen e tij dhe kishte qarë gjithë kohës pasi kishte rijetuar momentet e dhimbshme të sakrificës së tij. 61 vjeçari me origjinë nga Kazakistani, në vitin 1986 u cilësua nga qeveria si një likuidues dhe u dërgua në vendin e incidentit bërthamor për të kufizuar pasojat e tragjedisë.

Pas rikthimit në atdhe në ndryshim nga shokët e tij ai nuk mori atë që meritonte dhe i ishte premtuar, një apartament në ndërtesa popullore që ishin vënë në shërbim të veteranëve që punuan në operacionin e Chernobyl. Kështu duke riparë nëpërmjet protagonistëve të serialit televiziv poshtërimin që i ishte bërë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore si pasojë e punës në zonën e shpërthimit, ai u hodh nga tarraca e pallatit ku jetonte.

Vajza e tij u shpreh se në vend që të trajtohej si një hero, babai i saj ishte vendosur në një fjetore me bashkëshorten e tij dhe pesë fëmijë. Shteti nuk e mori asnjëherë parasysh kërkesën e tij për një banesë popullore. Ajo që ndikoi dhe më tej në zhgënjimin e tij ishte dhe pensioni i vogël, vetëm 39 euro në javë./ABC News Albania 24/7