New York Times “shfryn” akuzat ndaj McGonigal: Nuk punonte për oligarkun rus kur ishte në FBI

schedule16:12 - 29 Janar, 2023

schedule 16:12 - 29 Janar, 2023

Çështja hetimore për ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, ka bërë jo pak zhurmë mediatike edhe në Shqipëri. Ish zyrtari i lartë u përfol për takimin me kryeministrin Edi Rama teksa ishte në detyrë. Por që në fakt më pas u zbardhën skemat abuzuese të krerëve më të lartë të Sali Berishës.

Në një artikull të publikuar së fundmi nga media prestigjoze amerikane, New York Times, thuhet se gjatë kohës që ish agjenti i FBI-së, McGonigal ishte në detyrë, nuk provohet se ai punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska. Në vendin tonë, opozita hodhi një sërë akuzash për afera korruptive të McGonigal me Agron Nezën, një biznesmen shqiptaro-amerikan dhe ish punonjës i inteligjencës shqiptare në kohën e komunizmit.

Këto akuza, opozita ia drejtoi kryeministrit Rama. Por që në fakt, në sajë të hetimeve dhe në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet për korrupsion apo edhe për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI-së.

“Nuk ka asnjë tregues në aktakuzën e Manhatanit se z. McGonigal punonte për Oleg Deripaska ndërsa ishte ende i punësuar në FBI. Çështja ende po hetohet dhe një aktakuzë paralele në Uashington që e akuzonte zotin McGonigal se kishte marrë të paktën 225.000 dollarë pagesa sekrete nga një ish-punonjës i një shërbimi inteligjent shqiptar kur ishte ende në agjenci, ka ngritur pikëpyetje se sa i kompromentuar mund të ketë qenë ai në këtë çështje”, citohet në shkrimin e publikuar nga gazeta amerikane.

Ish zyrtari i lartë i FBI-së po hetohet në gjendje të lirë në SHBA dhe Uashington për dy akuza. E para me dyshimin se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa akuza e dytë lidhet me dyshimet se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, për të ndikuar që një koncesion të majmë të hidrokarbureve t’i jepej një kompanie të administruar nga Shefqet Dizdari, i cili më pas bëhet edhe ortak biznesi me Nezën.

Shefqet Dizdari, me profesionin e tij si avokat, në vitin 2012, kohë kur qeveriste vendin Sali Berisha, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese. /abcnews.al