Manchester City arriti të triumfonte mbrëmjen e djeshme përballë rivalëve të Arsenal, në përballjen e 1/16-ve, të “FA Cup”, në një ndeshje me raste të shumta nga të dyja skuadrat, por pa dominues të qartë në fushën e blertë.
Tekniku i “qytetarëve”, Pep Guardiola bëri dy ndryshime pak para minutës së 60’-të, duke sjellë në fushë, argjentinasin Julian Alvarez dhe Kyle Walker, duke modifikuar formacionin në një 3-4-3, me De Bruyne dhe Alvarez të vendosur pas “bomberit” Erling Haaland, ndryshim ky që i solli dhe fitoren përballë rivalëve direkt të këtij sezoni
I pyetur nga mediat pas përfundimit të ndeshjes, numri 1 i pankinës së Manchester City u shpreh shumë i kënaqur për fitoren e tijve, kundër “topcinjve”.
“Ne ishim shumë më mirë në pjesën e dytë. Arsenali ka bërë një hap përpara. Ishte një lojë e ngushtë, mund ta shihni se sa ekip i mirë janë. Nuk e prisja të shënonte Ake, por ne përfunduam duke mposhtur liderin e kampionatit dhe jemi në raundin tjetër.”,- tha Guardiola për fitoren ndaj një kundërshtari të vështirë, si londinezët.
Ndërkaq, Guardiola nuk la pa theksuar dhe impaktin e argjentinasit Julian Alvarez në fushën e blertë, i cili pati një rol “kyç” edhe në realizimin e golit të vetëm të sfidës.
“Çdo trajner dëshiron të bëjë diçka për të ndryshuar lojën. Ne kishim nevojë për dikë si Alvarez në mes. Ai ndihmon në mbrojtje dhe gjithashtu mund të luajë përkrah Erling. Dhe po, goli lindi nga gjuajtja e tij.”,- u shpreh tekniku spanjoll për për punën e mirë që Alvarez bëri në fushën e lojës. /i.m /abcnews.al