Klinti Çollaku është një nga këngëtarët e rinj më të suksesshëm. Ai së fundmi ka lancuar klipin e tij të ri me titullin “Shihemi n’kujtime”, i cili është pritur shumë mirë nga publiku.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Klinti u shpreh se teksti i këngës është shumë i ndjerë pasi mund të jetë dhe një dedikim personal i tij.
“Ka ardhur koha që ky personi ta lërë këtë dashurinë të shkojë dhe të vazhdojë rrugën e vetë. Që do të thotë, ky person mund të jem edhe unë”, tha këngëtari.
Më tej, i pyetur se cila është arritja e tij më e madhe në karrierë, Klinti konsideroi fitoren e The Voice of Albania dhe pjesëmarrjen për herë të parë në Festivalin “Kënga Magjike”.
“Është shumë e vështirë ta përcaktoj, por një nga arritjet e mija më të mëdha është fitorja e The Voice, por që nuk dua ta përmend shumë sepse nuk dua të ngelem në të shkuarën, sepse unë realisht kam bërë shumë gjëra të tjera pas fitores. Por që ngelet akoma mendoj dalja e parë te Kënga Magjike, që ka qenë një ‘bum’ i madh për mua. Kam pasur një vëmendje shumë të madhe që nuk e njihja, unë isha 18-vjeç dhe doja të bëja jetën e adoleshentit të thjeshtë dhe dilja në rrugë dhe më njihnin të gjithë njerëzit. Ndërkohë që unë doja të haja byrek për shembull, ose doja të rrija në rrugë me moshatarët e mi, por që e kisha edhe pak të pamundur sepse më njihnin kudo dhe ishte pak e sikletshme”, deklaroi ai./abcnews.al