Fluturimit të Emirates nga Tokio në Dubai iu shtua një tjetër pasagjer në ajër, një grua shtatzënë lindi gjatë udhëtimit.
Lindja ndodhi në fluturimin 12-orësh të natës EK319, i cili u ul në orar pavarësisht një urgjence mjekësore, konfirmoi linja ajrore për CNN.
Pasagjerja dhe foshnja u ndihmuan nga ekuipazhi i kabinës së Emirates, të cilët kanë njohuri për ndihmën e parë në mënyrë që të mund të përballojnë situata të tilla si lindja e fëmijës ose sulmet në zemër.
Ngjarja ndodhi më 19 janar dhe linja ajrore, në deklaratën e saj për CNN, theksoi se “të dy ishin në gjendje stabile dhe pas mbërritjes në Dubai, ata u pritën nga personeli mjekësor. Shëndeti dhe siguria e ekuipazhit dhe pasagjerëve tanë janë parësore”.
Lindjet në aeroplan janë relativisht të rralla. Politika e Emirates për udhëtarët shtatzënë është e ngjashme me atë të shumë linjave të tjera ajrore komerciale. Ata mund të fluturojnë deri në muajin e shtatë të shtatzënisë, përveç nëse kanë komplikime mjekësore.
Nga java e 29-të e shtatzënisë ata duhet të mbajnë një certifikatë mjekësore ose letër të nënshkruar nga mjeku ose mamia dhe nuk lejohen të fluturojnë pas javës së 32-të, në rast se presin më shumë se një fëmijë, ose javën e 36-të kur janë duke pritur një fëmijë. /abcnews.al