Emigracioni i paligjshëm, BE: Nuk kemi para për ndërtimin e mureve dhe gardheve

schedule15:46 - 26 Janar, 2023

schedule 15:46 - 26 Janar, 2023

Komisioni Europian ka  theksuar edhe njëherë se nuk ka fonde për ndërtimin e mureve dhe gardheve për t’i bërë ballë emigracionit të paligjshëm, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë kërkesën e shumë vendeve anëtare, së fundmi nga Austria.

“Nuk ka para në buxhetin e Bashkimit Europian për këtë. Nëse do të duhej të shpenzonim para për mure dhe gardhe, nuk do të na mbeteshin para për gjëra të tjera”, tha Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson.

Kancelari austriak Karl Neuhammer vizitoi së fundmi kufirin midis Bullgarisë dhe Turqisë, përgjatë të cilit është ndërtuar një gardh nga Sofja për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.

Kancelari deklaroi se mbështet kërkesën e presidentit të Bullgarisë Rumen Radev drejtuar Komisionit për miratimin e dy miliardë eurove për zgjerimin e gardhit. “Bëhet fjalë për pajisjet teknike, kamerat e vëzhgimit, dronët, helikopterët, automjetet dhe vetë infrastrukturën.

Austria është qartazi në anën e Bullgarisë kur bëhet fjalë për mbështetjen e vendit në lidhje me këtë kërkesë”, tha Karl Nehammer, i cili do ta diskutojë këtë çështje në samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian më 9 dhe 10 shkurt.

Austria po përballet me një rritje të madhe të kërkesave për azil dhe në dhjetor vuri veton ndaj hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, nga frika se kjo do të rriste më tej numrin e emigrantëve.

Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha sot në Stokholm se “është e nevojshme të forcohen më tej kufijtë e jashtëm të BE-së në mënyrë që të mund të udhëtojmë të sigurtë brenda hapësirës europiane”.

“Unë mendoj se jemi në fillim të një bisede që do të jetë intensive.”

Në tetor 2021, dymbëdhjetë vende të Bashkimit Europian (Austria, Bullgaria, Qiproja, Danimarka, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia) i kërkuan kërkuar Brukselit që të financonte ndërtimin e gardheve të tilla.

Komisioni ka refuzuar vazhdimisht diçka të tillë.

/abcnews.al