Hakerët rusë dhe iranianë po synojnë gazetarët dhe politikanët britanikë për të vjedhur të dhëna të ndjeshme, ka paralajmëruar Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar (NCSC).
“Këto fushata udhëhiqen nga persona me bazë në Rusi dhe Iran, të cilët ndjekin pa pushim objektivat e tyre për të komprometuar sisteme potencialisht të ndjeshme,” tha zyrtari i NCSC, Paul Chichester.
Njoftimi përmend SEABORGIUM me bazë në Rusi dhe TA453 me bazë në Iran, i cili është i lidhur me Gardën Revolucionare. Edhe pse të dy fushatat janë të ndara, të dy grupet “përdorin teknika të ngjashme dhe kanë qëllime të ngjashme”.
“Sulmet nuk kanë në shënjestër publikun e gjerë, por sektorë të veçantë, kryesisht në botën akademike, agjencitë qeveritare, organizatat joqeveritare, politikanët, gazetarët, aktivistët”, thekson NCSC.
“Ata krijojnë profile të rreme në mediat sociale duke u hequr si ekspertë dhe kanë përdorur ftesa të rreme apo ngjarje të ngjashme.”
Sipas NCSC, grupi iranian TA453 ka përdorur platformën Zoom.
“Ne rekomandojmë fuqimisht që organizatat dhe individët të qëndrojnë vigjilentë ndaj qasjeve të mundshme dhe të ndjekin këshillat për tu mbrojtur nga sulme të tilla,” paralajmëron Chichester.
NCSC rekomandon përdorimin e fjalëkalimeve komplekse dhe vigjilencë të theksuar për të kufizuar rrezikun nga hakerimi.
/abcnews.al