Gazetari Artan Hoxha është thirrur në Policinë e Tiranës ku do të merret në pyetje në lidhje me audio-përgjimet e publikuara sa i përket ngjarjes së 21 janarit. Në një prononcim të shkurtër për mediat, gazetari theksoi se do të dorëzojë atë që ka bërë publike dhe se pjesa tjetër i takon hetimeve.
“I jam përgjigjur thirrjes së Prokurorisë. Duke ndjekur moton e avokatit Maks Haxhia, i cili ka thënë se ata që vijnë këtu në kohë dimri duhet të vishen trashë, jam veshur trashë se e kam ndërmend të qëndroj gjatë. Besoj se çfarë ka qenë për t’u bërë publike e kam bërë dhe ata e vlerësojnë nëse është një indicie që të çojnë drejt eprorëve apo nëse është një element që të çon te zbardhja e 21 Janarit.
12 vite pas, ne kemi dy të vrarë Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën që janë ekzekutuar përpara kamerave dhe janë pa autorë dhe ajo që duhet të jepet përgjigje nga ish kryeministri i kohës, që vazhdon me variantin e vjetër, ndërkohë që ajo që kam nxjerrë se Garda jo vetëm që nuk ka zbatuar ligjin por ka ekzekutuar qytetarë të pafajshëm me urdhër.
Rama e Berisha duhet t’u japin përgjigje vajzave të atyre katër personave që u vranë. Kush e vrau Aleks Nikën? Kush e vrau Hekuran Dedën? Kjo është ajo që duhet zbuluar. Për fat të mirë kemi një autor për vrasjen e Veizit. Nuk ka rëndësi se cili kryeministër e jep përgjigjen, i sotmi apo i djeshmi, të dy bashkë duhet të japin një përgjigje.”, tha Hoxha. /abcnews.al