Në plazhet e jugut, reshjet e orëve të fundit shkaktuan dëme të mëdha në bizneset përgjatë bregdetit. Në disa zona mungoi edhe energjia elektrike. Ndërsa në Devoll, fermerëve u janë shkatërruar hektarë me kultura të ndryshme.
Orët që lamë pas ishin mjaft të vështira për jugun e vendit. Disa akse të qytetit të Vlorës u përmbyten nga reshjet. Banorët u izoluan në shtëpi nga stuhitë. Probleme u konstatuan në segmentin Orikum-Radhimë, në disa plazhe u dëmtuan çadrat e shezllonet ndërsa mungoi edhe energjia elektrike.
Një incident u shënua në Orikum, ku roja bregdetare, u dëmtua në kokë duke u ngritur gjithçka kishte lënë pas moti i keq. I riu u transportua në spitalin rajonal të Vlorës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në Dhërmi e Himarë, furtuna shkaktoi dëmtime në plazhe, hapësira private e publike, kryesisht në njësi që shërbenin si “beach bar-e”. Në Sarandë pemë e tabela reklamuese u rrëzuan, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.
Edhe ditën e enjte nuk është lejuar lundrimi jashtë gjirit të Vlorës duke anuluar itinerarin drejt ishullit të Sazanit. Moti i keq la pa prodhim këtë verë edhe fermerët e Devollit.
Stuhia dhe breshëri solli dëme të konsiderueshme në të gjitha kulturat. Në fshatin Baban, era e fortë ka shkatërruar dhjetëra hektarë të mbjellë me grurë, perime,por edhe parcelat me pemë frutore.
Drejtoria Rajonale e Bujqësisë bën të ditur se koha e keqe ka sjelle dëme në kulturat bujqësore në 12 fshatra të zonës së Devollit./ABC News Albania 24/7