Prej disa ditësh, në ekranin e ABC është bërë e njohur historia e Zana Lleshit, lavazhieres nga Miloti, e cila punon për të rritur 5 fëmijët e saj, pasi burrin e ka të sëmurë.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, sot, ajo ka treguar edhe një herë historinë e saj, duke theksuar se paragjykohet pafund nga njerëzit, veçanërisht gratë pasi punon në lavazh.
Zana ka zbuluar se ka pasur raste që shumë persona nuk kanë pranuar që ajo t’i lajë makinën, pasi e kanë paragjykuar se është grua.
Sakaq, ajo ka bërë të ditur se fëmijët në shumë raste nuk kanë dashur të shkojnë në shkollë, sepse i kanë bullizuar. Më tej, Zana i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të vënë dorën në zemër dhe ta ndihmojnë.
“U detyrova ta bëjë këtë punë sepse burri im është shumë keq me shëndetin dhe më duhet të mbajë fëmijët.
Unë kam pesë fëmijë, më i madhi është 10 vjeç, më i vogli është një vjeç. Ata shkojnë në shkollë përditë. Nuk kemi pasur asnjë lloj ndihme as nga bashkia, as nga shteti. Kam shkuar për ndihmë dhe nuk më kanë hapur derën fare. Unë kam hequr dorë nga shteti, por i drejtohem shqiptareve të vënë dorën në zemër.
Ka raste që edhe më paragjykojnë se thonë që në lavazh një femër, por unë kam vendosur të mbajë fëmijët e mi, për familjen time dhe për shtëpinë time. është shumë vështirë se është përditë sidomos në dimër. Ka vështirësi si emocionale dhe fizike. Më shumë paragjykohem nga femrat në Milot, të cilat qeshin kur kalojnë dhe më shohin. Unë kam dal për fëmijët e mi. Ka ndodhur edhe raste kur nuk kanë pranuar t’ja lajë makinën sepse jam femër. Më kanë parë dhe janë larguar sepse mendojnë se jam femër dhe nuk mund t’ja lajë mirë makinën.
Fëmijët në shkollë i shajnë. Ata vijnë dhe më thonë. Unë i them, mami ka dal për ju. Njerëzit i thonë që mami jot lanë makinat. Madje, çuni nuk ka dashur të shkojë në shkollë se e shajnë. E kanë afruar mësueset, të cilat më kanë mbështetur. Kështu ata kanë shkuar në shkollë, në fillimin qanin se i shanin. Kam tre vite që e bëj këtë punë. Nuk kam tentuar të ndërrojë punë se kam shtëpinë afër dhe kam fëmijët. Kur jam në punë, më ndihmon vjehrra të mbajë fëmijët. Edhe ajo është sëmurë, se është mosha, nuk ka fuqi. Bashkëshorti nuk punon. Të gjithë jemi të papunë, vetëm unë mbaj familjen. Puna është e lodhshme për mua”, u shpreh Zana.
Për ta ndihmuar Zanën:
/abcnews.al