Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka ndarë ditën e sotme bilancin e vitit 2022 në policinë e shtetit dhe pritshmëritë me vitit 2023. Ministri u shpreh se këtë vit është parashikuar binjakëzimi i akademisë së sigurisë me atë të shtetit italian. Sipas tij, qëllimi është krijimi i një akademie me standarte evropiane.
Mes të tjerash, ai zbuloi se pritet të jetë ditën e nesërme në Romë për t’u takuar me ministrin italian.
“Një element thelbësor për një polici moderne dhe efiçente mbetet rritja e kapacitetit të strukturës së policisë dhe në këtë aspekt mendoj se kemi bërë një punë kolosale me akademinë e sigurisë. Së pari për ta kthyer në një institucion të reformuar sipas ligjit që ka dalë gjatë këtij viti. Kemi bërë të mundur dhe shpejt do ta finalizojmë binjakëzimin me strukturat akademike të policisë italiane.
Do të jetë ndryshim loje për akademinë e sigurisë duke tentuar që nga Akademia shqiptare të dalin punonjës me të njëjtat cilësi siç prodhon ajo italiane. Kemi shumë afër, brenda pak kohësh do të bëjmë një marrëveshje që do t’i hapë rrugë këtij binjakëzimi. Është një rrugë jo e shkurtër sese do kohë por ne kemi filluar dhe është premtuese.
Kemi pasur gadishmëri nga italianët dhe me ministren e brendshme italiane. Dhe me ministrin e ri që do të takohem nesër në Romë për t’i dhënë rrugë këtij projekti për të ngritur një akademi evropiane.“, tha ai. Mes të tjerash, ministri gjithashtu deklaroi se do ndërtohet një njësi e përbashkët speciale për kontrollin detar.
“Kemi parashikuar krijimin e një njësie të përbashkët speciale të kontrollit detar. Kemi parashikuar buxhet për blerjen e pajisjeve do jenë 40 motra uji. Gjatë periudhës së turizmit do patrullojë më prezentë në brigjet e Shqipërisë për më shumë siguri.“, u shpreh ministri. /abcnews.al