Edhe zaptues, edhe dhunues, edhe i mundur!

schedule09:31 - 9 Janar, 2023

schedule 09:31 - 9 Janar, 2023

Nga Mero Baze 

Në historinë e politikës , ka disa data që vlejnë më shumë për të përshkruar një individ se sa një histori. 8 Janari i 2022, është një ditë e cila gdhend në bronz portretin politik të Sali Berishës, identitetin e tij politik dhe fytyrën e tij reale.

Një hordhi pushtuese, ju turr ndërtesës së zyrave të Partisë Demokratike për ta marrë atë me dhunë. Me shkallë të parapërgatitura, me bomba tymuese me qysqi e vare, ata i shfaqën para syve të gjithë shqiptarëve, si barbarët në dyert e një qyteti, ashtu si në të vërtet e përfytyron Sali Berisha hakmarrjen mbi ata që nuk i binden.

8 Janari gdhendi së pari Në kujtesën e shqiptarëve dhe arkivat e historisë, tiparin themelor të Sali Berishës, zaptimin me forcë. Zaptimi është mentaliteti më i dëmshëm dhe më shkatërrues për Shqipërinë e pas viteve 90, që hyri në politikë dhe u instalua në shtetin shqiptar prej Sali Berishës. Ai u nis në rrugën e pushtetit duke u bërë thirrje njerëzve fillimisht të zaptojnë pronat publike, uzinat dhe ndërmarrjet prodhuese, më pas tokat e lira bujqësore që kishin pasur pronarët e tyre të vjetër. Më pas zaptoi periferinë kryeqytetit me shpresë të ndryshonte demografinë e votës për Tiranë. I shqetësuar që Kryeqyteti nuk e pranoi dot kurrë si politikan, hakmarrja e tij u përgatit duke zaptuar periferinë dhe duke sjellë hordhitë e tij elektorale.

Më 8 janar ky tipar i tij u thjeshtëzua në skena filmi si në romanin “Kështjella” të Kadaresë, ku mungonin vetëm kovat me zift nga mbrojtësit e Kështjellës.

Së dyti, 8 Janari konfirmoi mekanizmin kryesor të karrierës së Berishës që është dhuna fizike mbi kundërshtarin. Prej vitit 1990 ai është njeriu që ka rrahur çdo kundërshtar, çdo kritik, dhe çdo kënd që i ka dalë para në rrugën e tij drejt pushtetit. Etja e hordhisë së tij për të rrahur njerëz atë ditë, ishte e pashlyeshme nga kujtesa e qytetarëve.

Roland Bejko, një politikan konsekuent i së djathtës prej dhjetorit 1990, u ndesh me një turmë tropojano-laçiane para dyerve të SHQIUP dhe gati se nuk e shqyen, vetëm se e identifikuan si një njeri që nuk e donte Sali Berishën. Më tej, ishin gati të shqyenin burra dhe gra të mbledhur brenda selisë, duke mos kursyer as gra shtatëzana.

Dhunimi i tyre është e vetmja shenjë triumfi që Berisha njeh mbi kundërshtarët dhe kritikët. Kur ai thotë ta “bëj fytyrën si këpuca” d.m.th. që ta nxij fytyrën nga rrahja, e thotë si një dënim sublim, sikur është fundi i botës që do të vijë nga dhuna e tij. Siç e pësoi dhe vetë një vit më pas në Dhjetor të vitit që shkoi.

Më 8 janar, ai e kishte dhunimin fizik të kundërshtarëve, armën më të egër në duart e tij për tu shpallur triumfator atë ditë. Por në fakt dhe ajo armë shkrehu bosh.

Së treti, 8 Janari shënon nga ana tjetër dhe çmitizimin e Sali Berishës si njeri i fortë që gjithçka e arrin me zaptim dhe dhunë. 8 Janari është dita kur Sali Berisha u lejua të ishte zaptues, u lejua të ishte dhunues por u provua që nuk arriti dot asgjë me ato.

Për herë të Parë Partia Demokratike i rezistoi Sali Berishës dhe fizikisht. Për herë të parë, pas betejës, viktimë nuk ishin kundërshtarët e Berishës por vetë ai. Fytyra e tij e vrarë, sorollatjet e tij buzë Lanës pas humbjes së betejës dhe vështirmi plot urrejtje mbi seli, janë imazhi i fundit i një bishe të izoluar, i cili nuk hyri dot në strofullën që donte të merrte me dhunë.

Për mijëra shqiptarë, atë ditë Sali Berisha ishte edhe zaptues edhe dhunues edhe i mundur. Dhe kjo nuk ka për të ndryshuar më kurrë.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!