Trajneri i Romës synon Champions-in

schedule23:30 - 8 Korrik, 2019

schedule 23:30 - 8 Korrik, 2019

Trajneri i skuadrës së Romës, Paulo Fonseca premton se do të ndërtojë një skuadër të madhe. Kreu i pankinës së verdhekuqëve beson se skuadra do të kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm.

Trajneri i ri i Romës Paulo Fonseca është shfaqur entuziast dhe i motivuar në ditën e tij të parë të punës. Tekniku synon të ndërtojë një skuadër të madhe dhe ta rikthejë sërish në Champions League.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Jam maksimalisht i motivuar të punoj me këtë skuadër dhe në këtë qytet. Nuk do të jetë Roma ime, por Roma e të gjithëve. Duam të ndërtojmë një skuadër që të bëjë krenarë tifozët verdhekuq. Kam qenë këtu vetëm si kundërshtar dhe do të bëj maksimumin për të rikthyer atë entuziazëm që karakterizon tifozërinë e Romës. Presidenti Pallota nuk më ka vënë ndonjë objektiv konkret, por unë dua që të rikthehemi në Champions menjëherë pas këtij sezoni dhe në fund të kontratës, të kem fituar diçka me Romën”, tha ai.

Tekniku i verdhekuqve  thekson se ndihet aspak i shqetësuar nëse do të largoheshin futbollistët që nuk janë të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre në sezonin e ardhshme për fanellën verdhekuqe.

“Kam folur me drejtorin sportiv dhe duam të sjellim në skuadër emra të motivuar, që janë gati të lënë mënjanë interesat personale dhe të sakrifikohen për të ndërtuar diçka të mirë. Motivimin duhet ta kenë edhe lojtarët që janë aktualisht pjesë e skuadrës, si kusht vendimtar për vazhdimësinë e tyre me fanellën verdhekuqe. Sa i përket Higuain, do të kemi kohë të flasim, nëse do të vijë te Roma, pasi për momentin është i Juves”, thekson trajneri i Romes Paulo Fonseca.

Roma nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Champions League për herë të parë pas rreth një dekade./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!