Nga Agim Blloshmi
Që në lashtësi bimët medicinale janë përdorur nga njerëzit për që shëruar shumë sëmundje. Një ndër to është edhe trëndafili i egër.
Atë e gjejmë të kultivuar kudo në Shqipëri. Në fshatin Vilan të Njësisë Administrative Polis, në Librazhd është një banor që jo vetëm i njeh mirë këto lloj bimësh, por i mbledh dhe i ruan, si një thesar i shenjtë për të.
Refat Tanushi tregon më shumë rreth kësaj bime medicinale.
“Duhet ta kenë të gjithë familjet në shtëpi për çaj. Prej përmbajtjes së vitaminës C që ka trëndafili i egër, se nuk e ka asnjë bimë tjetër sasinë e saj as portokalli as limoni.”
Në dukje një bimë e bukur, por edhe ajo fsheh brenda saj shumë veti kuruese.
“ Përdoret për veshkat, prostatën, për infeksionet, rrugët urinare, për çdo gjë përdoret është shumë efektive dhe e kërkuar”.
Në këtë dhomë të vogël ndodhen të gjitha bimët medicinale të mbledhura nga Refat Tanushi.
“Tek kjo dhomë e vogël që kam grumbullar të gjithë punën prej vitesh kam bimë mjekësore që gjenden në vendin tonë. Zona jonë është shumë e pasur me bimë mjekësore.”
Ai tregon se zona e Polisit është shumë e pasur, por ka ende pjesë të pa eksploruara.
“ Mbi 95 % të bimëve mjekësore i ka zona jonë.”
Pasionin e trashëgoi nga mësuesi i tij i bioligjisë.
“Refat Allushi. Rastësisht, rreth viteve 1986- 1987 më aktivizoi profesori, biolog i mirë i zonave tona që kishte studiuas florën e zonës tonë. Më stimuloi dhe gjithë arritjet që kam i kam nga ai.”
Synimi i Rifatit janë vetëm ato bimë që kanë vlera mjekësore.
“ Ne jemi munduar që të gjejmë më të fuqishmet, ato me vlera më të larta mjekësore.”
Ai thotë se nuk është mjek popullor, por kur klientët i kërkojnë diçka bën të pamundurën që t’ia sigurojë.
“ Ne nuk pretendojmë të mjekojmë, ne jemi përqendruar vetëm te mbledhja. Ai që e kërkon një bimë, e gjen vetë përdorimin.”
Në të gjithë vendin bimët medicinale dhe kultivimi i tyre po njohin çdo vit rritje. Tregu i huaj është i interesuar dhe ka vazhdimisht kërkesa.