Lebron James, basketbollisti me zemër të madhe

schedule16:40 - 8 Korrik, 2019

schedule 16:40 - 8 Korrik, 2019

Lebron James vendos të dhurojë numrin e tij të fanellës tek Lakers-at. Ylli i basketbollit do t’ia japë bluzën me numër 23, shokut të ri të skuadrës, Anthony Davis-it.

Yjet nuk e bëjnë aq shpesh, sidomos ata më të mëdhenjtë. Lebron James prandaj edhe është i veçantë, ndaj edhe vendosi ta dhuronte fanellën e tij simbolike me numrin 23.

Mbreti i basketbollit botëror do t’ia japë këtë numër shokut të tij të skuadrës tek Lakers-at, Anthony Davis. Ish-qendra e New Orlinsit u bashkua më në fund me “Liqenasit” e Kalifornisë, pasi dështoi transferimi i tij gjatë dimrit, dhe James mendoi t’i bënte këtë dhuratë si shenjë besimi dhe altruizmi.

Ai e di mirë se titujt fitohen me skuadër të bashkuar, siç I ndodhi tek Majemi apo edhe Klivlendi, e dëshiron ta përsërisë në Los Anxhelos. Tashmë, shokë skuadre, ata nuk e kanë humbur rastin për t’u takuar, siç ndodhi në rastin kur deshën të shikonin yllin e  ri të NBA-së, Zion Uilliamson.

Padyshim, ky veprim i kapitenit do të ketë ndikim të madh tek Davis-i, një gjigand prej 2.13 metrash, i cili ka fiksim ta fitojë gjithashtu titullin në basketbollin amerikan.

Me dy yje të tillë të mëdhenj, si dhe me qendrën Demarcus Cousins që erdhi nga Golden State, Lakers-at do të kenë mundësi serioze për të pretenduar trofeun e NBA-së, edhe pse do të duhet të sfidojnë rivalë të fortë, që të dy në Kaliforni, si Los Angelos Klipersin e Koui Leonardit, apo edhe ish-kampionen Golden State./ABC News Albania 24/7