KLP pritet të nis me intervistat e 22 kandidatëve për SPAK, 11 prej tyre nuk kanë kaluar vettingun

schedule13:49 - 7 Korrik, 2019

schedule 13:49 - 7 Korrik, 2019

Duke nisur nga kjo e hënë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë intervistat me audio e video të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Ato do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pavarësisht se rregullorja nuk e parashikon një gjë të tillë. 11 nga 22 kandidatë, nuk kanë dalë ende para vetingut.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nis me 8 korrik intervistat në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video, nga vetë këshilli, një pjesë e të cilave do të publikohen në faqen zyrtare të KLP.

Por sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, mediat nuk do të jenë të pranishme gjatë dhënies së intervistës nga kandidatët, me argumentin se një gjë të tillë e ndalon rregullorja për arsye konfidencialiteti. Por neni 14 pika 3 dhe 4 e rregullores nuk e përcakton faktin se intervistat do të zhvillohen pa praninë e medias.

Gjatë 5 ditëve Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë intervistat me 22 kandidatët e SPAK, për 15 vende. KLP do të përzgjedhë prokurorët me aftësitë më të mira profesionale dhe morale.

Duke iu referuar rregullores, që një prokuror të jetë pjesë e SPAK duhet që më para të ketë kaluar të gjitha instancat e vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Deri më tani para vetingut nga 22 kandidatët që kanë kaluar me sukses KPK dhe nuk janë ankimuar nga Komisioneri publik janë Arben Kraja dhe Dritan Prençi.

Prokurorët që kanë kaluar KPK dhe janë ankimuar deri me tani janë Besnik Muçi dhe Donika Prela.

Ndërsa Edvin Kondili, Eneid Nakuçi, Vladimir Mara, Enkelejda Millonai dhe Manjola Kajana kanë kaluar në shkallë të parë por nuk dihet nëse do të ankimohen nga komisioneri. Nga ana tjetër, 11 kandidatët e mbetur nuk i janë nënshtruar ende procesit të vetingut./ABC News Albania 24/7