Ish-presidenti i skuadrës së Interit Masimo Morati kërkon te Mauro Ikardi të qëndrojë tek Inter, ndërkohë që drejtori sportiv i zikaltërve Bepe Marota thekson se argjentinasi nuk është në planet e skuadrës.
Skuadra e Interit do të fillojë fazën përgatitore në Lugano në prag të sezonit të ri. Zikaltërit janë përforcuar me elementë cilësorë, por mbetet ende një çështje e pazgjidhur e ardhmja e sulmuesit Ikardi. Situata është shumeë e komplikuar aq sa për argjentinasin është prononcuar edhe ish Presidenti i skuadrës italiane Masimo Morati.
“Situata që është krijuar me Ikardin është më i vështiri nga ata me të cilët unë jam përballuar gjatë drejtimit të Interit. Unë e cilësoj Ikardin më të forte se dy sulmuesit e tjerë që janë objektivat e Interit, Xheko dhe Lukaku.
Nëse ikardi zgjedh të transferohet te Juventusit do të ishte një blerje e zgjuar për bardhezinjtë. Mua nuk më intereson sjellja e Ikardit në rrjetet sociale, pasi unë e vlerësoj impenjimin e lojtarit në fushën e lojës”.
Në lidhje me merkaton e deritanishme të Interit, Marati thekson: “Diego Godin është transferimi që më pëlqen më shumë, bashkë me Handanoviç, Skriniar dhe De Fraj do të formohet një mbrojtje solide. Barela dhe sensi janë dy futbollistë të talentuar dhe kanë grintë dhe impenjim maksimal, por duhet të përshtaten shpejt”, tha Morati.
Nuk kishte si të mungonte edhe komenti i drejtorit të deleguar të Interit, Bepe Marota në lidhje me të ardhmen e Ikardit i cili aktualisht është problem kryesor tek zikaltërit.
“Ne e kemi zbuluar se cili është pozicioni i kompanisë për Ikardin dhe Naingolan. Janë lojtarë të shkëlqyer me talent të jashtëzakonshëm, por nuk bëjnë pjesë në projektin tonë dhe këtë e them me transparencë”– deklaroi Bepe Marota.