Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka reaguar pas deklaratës së homologes shqiptare, Olta Xhaçka, e cila shprehu dje hapur mbështetjen ndaj Kosovës. Ai akuzon Xhaçkën se po inkurajon Kurtin për provokime por sipas tij, duhet t’i kujtonte atij se ka detyrim të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe Rezolutën 1244.
“Ajo në asnjë fjalë nuk i ka kujtuar Kurtit se e ka obligim ndërkombëtar të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit, Rezolutën 1244 dhe të gjitha dokumentet tjera relevante, obligimin për formimin e Unionit të Komunave Serbe, për të mos dërguar njësitet të armatosur shqiptare në veri dhe jo të arrestojnë serbët vetëm se janë serbë”, tha Daçiç.
Xhaçka tha të martën se Shqipëria është me Kosovën ndërsa iu bëri thirrje autoriteteve të Serbisë që të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që po refuzojnë t’i largojnë ato. “Të luash me zjarrin është ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, shkroi mes të tjerash ajo. /abcnews.al