Skandali Watergate: Nixon, i vetmi president amerikan që ka dhënë dorëheqjen

schedule11:43 - 16 Dhjetor, 2022

schedule 11:43 - 16 Dhjetor, 2022

History of Yesterday

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka mbetur në historinë e botës si presidenti i parë amerikan që dha dorëheqjen.  Më 8 gusht 1974 ai e bëri atë publike dhe më 11 gusht u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Gjithçka erdhi nga publikimi në media i një skandali,  sipas të cilit presidenti republikan kishte urdhëruar përgjimin e demokratëve në godinën e Watergate në Washington.

Gazetarët e gazetës “Washington Post” Bob Woodward dhe Karl Bernstein ishin ata që investiguan dhe zbardhën gjithçka që kishte ndodhur natën e 17 qershorit të vitit 1972.

Askush nuk do kishte mësuar se çfarë kishte ndodhur nëse Woodward dhe Bernstein nuk do kishin bërë detyrën e tyre si profesionistë.

Por çfarë ndodhi?

Në 8 gusht 1974, Presidenti Nixon dha dorëheqjen. Imazhi i fundit i presidentit ishte përshëndetja e tij nga dera e helikopterit, duke i dhënë lamtumirën stafit të Shtëpisë se Bardhë.

Në 17 qershor të vitit 1972, një lajmi çuditshëm mbushi faqet e gazetave dhe programet televizive të lajmeve. Pesë persona ishin arrestuar në zyrat e Partisë Demokratike në apartamentet e Watergate në Uashington. Njëra nga ato ishte zyra e Larry O’Brien, shefit të partisë.

Të arrestuarit nuk dukeshin si hajdutë të rëndomtë por ishin të veshur me kostume. Per më tepër ata nuk ishin kapur duke grabitur por duke instaluar aparate përgjimi. Pas konfiskimit te tyre policia kishte gjetur madje edhe një libër adresash me emrin e Howard Hunt,WH, që nënkuptonte “White House.”

Identiteti i tyre u zbulua të nesërmen pasi kaluan një natë në polici. Njëri prej tyre, McCord kishte punuar për CIA-n. Zgjedhjet presidenciale ishin vetëm pesë muaj larg.

A thua presidenti kishte vënë përgjues ndaj partisë opozitare?

Ronald Ziegler, sekretari i shtypit i presidentit Nixon e quajti ngjarjen si të dorës se tretë. Partia republikane kishte riemëruar presidentin Nixon si kandidat për president edhe për katër vite të tjera. Partia demokratike kishte dhënë si kandidat të sajin. McGovern.

Kishte qenë një vit i jashtëzakonshëm për presidentin dhe gjithë vëndin. Për herë të parë, pas një çerek shekulli lufte të ftohtë midis dy kampeve, një president amerikan kishte bërë vizitën e tij në një vend komunist (në Kinë).

Ndërkohë gazetarët e Uashington Postit po hetonin “incidentin” të Watergate duke deklaruar së fundi se incidentit i çonte direkt në “Shtëpinë e Bardhë.” Sidoqoftë zgjedhjet presidenciale erdhën dhe Richar Nixon korri një fitore të madhe: 49 shtete kishin votuar për të.

Në 27 janar 1973, në Paris, firmosej marrëveshja që “i jepte fund luftës në Vietnam dhe vendoste paqen. Prestigji i Presidentit amerikan në botë është rritur si asnjëherë. Por tabloja filloi të ndryshojë kur senati amerikan mori një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e Watergate, raporton abcnews.al.

Sipas sondazheve që u bënë vlerësimi i presidentit nga populli amerikan ra menjëherë, nga 68 përqind në 31 përqind. Gjatë hetimit, një ndihmës i tij deklaroi që një sistem aparatesh përgjimi ishte vendosur edhe në Kemp Dejvid që në 1971. Këtë fakt e dinin vetëm pak njerëz.

Presidenti Nixon refuzoi kërkesën në preteksin e mbrojtjes “së sekretit konfidencial të presidentit” dhe sigurimit kombëtar. Ai dorëzoi vetëm disa nga ato, njëra prej të cilave kishte një ‘segment” të fshirë prej 18 minutash.

Zëvëndës presidenti Spiro Agnju akuzohej nga prokurori i përgjithshëm E. Riçardson për rryshfetet që kishte marrë që nga koha kur qe guvernator i shtetit të Merilendit e në vazhdim, si edhe për mospagimin e taksave shtetërore.

Duke pranuar fajësinë e tij, zëvëndëspresidenti u detyrua të jepte dorëheqjen në tetor 1973.  Presidenti Nixon bëri disa dalje në ekran për të ndalur vrullin e së keqes. Në to ai e konsideroi veten viktimë të sulmeve keqdashëse, ndërkohë që ai ishte i fokusuar në çështje të rëndësishme.

Interesat e tij ishin shumë më të mëdha, ishte Amerika, ishte bota. Nixon bëri një tjetër udhëtim  nëpër botë, këtë radhë në Lindjen e Mesme. Edhe njëherë shikuesit u shtangën duke parë turmat e njerzve që i uronin mirëseardhjen presidentit amerikan, në Egjipt, Siri, Israel dhe me pas përsëri në Moskë, raporton abcnews.al.

Edhe një herë ai i dha botës imazhin e një presidenti të suksesshëm, i shqetësuar për punën, pavarësisht nga fati i hidhur që e priste në vendin e tij.

Mjerisht aftësia e tij për të mbuluar dramën nuk mundi ta shpëtonte presidentin Richar Nixon nga rënia. Pas dëgjimit të dëshmive të fundit, dënimi i presidenti nga senati dukej i pashmangshëm, raporton abcnews.al.

Një grup udhëheqësish republikanë vizituan presidentin për t’i komunikuar “vendimin”: Ai duhej të jeptë dorëheqjen. Në 8 Gusht 1974, në orën 9 të darkës,

Presidenti Nixon u shfaq në ekranin televiziv për të dhënë dorëheqjen. Imazhi i fundit i presidentit mbeti përshëndetja e tij me dorë nga dera e helikopterit, duke i dhënë lamtumirën stafit të Shtëpisë se Bardhë, miqve e të njohurve dhe nëpërmjet ekranit gjithë popullit amerikan si president i diskridituar nga skandali i tij.

/abcnews.al