Çfarë u tregon të tjerëve gjuha jote e trupit

schedule22:31 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 22:31 - 13 Dhjetor, 2022

Nga Leo Benedictus

Teksa po shfletonte disa studime të vjetra, Hilari Elfenbein vuri re diçka të çuditshme në lidhje me fotot në një studim të famshëm. Studimi në fjalë i kryer në fundin e viteve 1980, kishte pyetur vullnetarët nëse ishin në gjendje të identifikonin emocionet në fytyrat e njerëzve japonezë dhe kaukazianë.

Disa nga fytyrat “japoneze” u paraqitën nga japonezo-amerikanët, pjesa tjetër nga shtetas japonezë. Kur Elfenbein i pa vetë fotot e testit, e kuptoi se ajo mund t’i gjente saktësisht gjendjet emocionale. Bashkëpunëtorja e saj, Ebi Marsh, zbuloi se edhe ajo ishte në gjendje të bënte të njëjtën gjë.

Kështu ato bënë një eksperiment. Ata zbuluan se amerikanët që testuan ishin gjithashtu çuditërisht shumë të aftë në zbulimin se kush ishte japonez dhe kush një japonezo-amerikan, edhe pse ishin që të gjithë etnikisht të njëjtë. Subjektet mbanin veshur të njëjtat rroba dhe ndriçoheshin në të njëjtën mënyrë.

Kur të dy grupet kishin shprehje neutrale në fytyrë, njerëzit e kishin të vështirë të bënin dallimin midis tyre. Por kur shfaqnin ndjenjat e tyre, sidomos trishtimin, u duk se shfaqej diçka nga Japonia ose Amerika. Ju mund ta keni pasur vetë një përvojë të tillë, nëse keni qenë ndonjëherë jashtë vendit, dhe jeni ndjerë papritur i bindur se një i huaj që po kalon është një nga bashkë-kombasit tuaj.

Disa herë sinjali mund të jetë i qartë. Nëse e keni parë filmin “Inglourious Basterds”, do ta mbanin mend se gjermanët dhe britanikët e tregojnë numrin tre me gishta në mënyra të ndryshme. (Gjermanët ngrenë gishtin e madh dhe dy gishtat e parë; britanikët ulin gishtin e vogël dhe të madhin dhe ngrenë 3 të tjerët).

Shumica nuk e kuptojnë se ekziston ky ndryshim derisa shohin alternativën, që për ta duket e çuditshme. Disa sinjale mund të duken si gjeste të rastësishme. Të tjerat mund t’i kenë shërbyer një qëllimi. Thuhet se presidenti rus Vladimir Putin i tregon tërthorazi stërvitjet që ka bërë dikur me armët e KGB-së nga mënyra se si ecën, me “krahun e armës” që qëndron e varur puthitur pas trupit, teksa tjetra ndjek ritmin e hapave.

Që nga zbulimi i tyre fillestar, Marsh dhe Elfenbein kanë zbuluar më shumë nga këto “akcente jo-verbale” – mënyra fizike përmes të cilave ne tregojmë pa e kuptuar se nga vijmë. Për shembull, amerikanët mund të dallojnë nga australianët nga mënyra se si buzëqeshin, përshëndetin me dorë apo ecin.

“Ishte shumë e lehtë për t’u zbuluar”- thotë Marsh. “Ne i zhvilluam këto dy studime dhe zbuluam të njëjtin efekt tek te dy. Gjithçka ishte aty në sjelljet që vëzhguam”. Dhe hulumtimet më të fundit i mbështesin gjetjet e tyre.

Një ekip në Universitetin e Glasgout në Skoci, ka trajnuar tani një kompjuter për të njohur dhe më pas gjeneruar më shumë se 60 akcente të ndryshme jo-verbale në një fytyrë të simuluar. Dallimet delikate, gati të padeshifrueshme tek rrudhja në hundë dhe ngritja e buzës, ishin shpeshherë gjithçka që i diferenconte.

Por kur aziatiko-lindorëve iu treguan këto shprehje artificiale “aziatiko-lindore”, ata i njohën ato shumë më lehtë sesa shprehjet “perëndimore” të fytyrës. “Është më e vështirë sesa duket”- thotë Rejçëll Xhek, laboratori i të cilës kreu kërkimin.

Për shembull, para se të fillonin studimin, Xhek dhe ekipi i saj duhej të përcaktonin se cilat fjalë në gjuhën angleze dhe atë kineze u referoheshin ndjenjave afërsisht të njëjta. Edhe pse në parim, Xhek thotë se një robot duhet të jetë në gjendje të simulojë nuancat e vogla për çdo kulturë dhe për çdo rast në botë.

Në një studim të vitit të kaluar, Xhek dhe të tjerët zbuluan se edhe shprehjet e fytyrës gjatë orgazmës bartin “akcente kulturore” të ndryshme. Fakti që akcentet jo-verbale ekzistojnë, nuk duhet të jetë dhe aq befasues. Njerëzit njohin zërat dhe fytyrat e veçanta, madje edhe stilet e ecjes ose vrapimit, pa ditur saktësisht se çfarë i bën ata të njohur.

Kompania teknologjike kineze “Watrix”, pretendon se softueri i saj mund të identifikojë një person vetëm duke e parë atë të ecë, me një saktësi prej deri në 94 për qind. Nëse lëvizjet e një individi mund të jenë kaq dalluese, atëherë nuk është e paarsyeshme të mendosh që grupet mund të ndajnë disa gjëra të përbashkëta, dhe kjo mund të jetë e dukshme nga të huajt.

Ka tashmë prova që ne lexojmë shumë më shumë sesa e mendojmë nga sjellja trupore e njerëzve. Në një studim të vitit 2012, njerëzit të cilëve iu treguan foto të tenistëve menjëherë pas fitimit të një pike të rëndësishme në një lojë, ishin shumë më të aftë në përcaktimin nëse lojtari kishte fituar apo humbur, duke e gjykuar këtë nga imazhet e trupave të tyre, sesa nga fytyrat e tyre.

Kur fytyrat e mërzitura nga humbja u vendoseshin trupave të sportistëve fitues, apo anasjelltas, ishin trupat ato që diktonin në shumicën e rasteve gjykimet e njerëzve. Një version i mëvonshëm i studimit prodhoi të njëjtat përfundime, bashkë me faktin se studentët e Universitetit të Hong Kongut dolën më mirë në përgjithësi kur atletët ishin nga Azia Lindore, gjë që sërish sugjeron që ne jemi më të aftë në zbulimin e atyre akcenteve trupore me të cilat jemi më të njohur, pasi i shohim vazhdimisht tek njerëzit përreth nesh.

Në librin e tij të fundit, “Mizëria njerëzore”, biologu dhe fotografi Mark Mofet spekulon se akcentet jo-verbale shërbejnë si shënjues socialë, të cilët i ndihmojnë njerëzit të ndajnë “ne” nga “ata”. Ndonjëherë ato duket se bartin informacion më të hollësishëm, por jo ​​të gjitha janë të besueshme.

Në një studim klasik, psikologët në Universitetin e Prinstonit zbuluan se pjesëmarrësit ishin më të aftë në zgjedhjen e fituesve duke përzgjedhur se kush dukej më “i aftë” nga disa foto. Edhe fëmijët u bënë ekspertë të mirë në parashikimin e kandidatëve fitues, kur iu treguan të njëjtat foto dhe iu kërkuan të zgjedhin një “kapiten” imagjinar për një video-lojë.

Nga ana tjetër, disa fytyra duket se regjistrojnë informacione në lidhje me jetën që ata kanë pasur. Kur iu tregua një përzgjedhje e shprehjeve neutrale të fytyrës të marra nga aplikacionet e takimeve, pjesëmarrësit në një studim të vitit 2017 ishin në gjendje të dallonin njerëzit e pasur nga të varfrit, shumë më saktë sesa mund ta hamendësonin.

Në fakt ata mund ta bënin dallimin vetëm me foton e syve të personit ose në veçanti të gojës së tij. Pas studimeve të mëtejshme, studiuesit arritën në përfundimin se njerëzit e pasur duken pak më tërheqës ose më pozitivë (një përzierje e lumturisë dhe e pëlqyeshmërisë) sesa njerëzit e varfër.

Kur atyre iu treguan fotografi në të cilat të gjithë ishin të buzëqeshur dhe dukeshin qëllimisht pozitivë, pjesëmarrësit e humbën aftësinë e tyre për të dalluar të pasurit dhe të varfrit. Prania e këtyre shenjave delikate, mund të ndihmojë në shpjegimin pse paragjykimi mund të depërtojë në të menduarit tonë për njerëzit me prejardhje të ndryshme.

Siç kemi parë, akcentet jo-verbale kanë shpesh ndikimin që i bëjnë të huajt të bëhen më të vështirë për t’u kuptuar. Gjithsesi, kur njerëzit duan të kuptohen nga të tjerët, ata kanë mënyra për t’i bërë të qarta ndjenjat e tyre. Një studim i zgjuar por spekulues i kohëve të fundit nga Universiteti i Uiskonsin, sugjeron që kjo madje mund t’u ketë dhënë një aksent të mirë amerikanëve modernë.

Teoria është se banorët e një vendi që përjetojnë një normë të lartë emigracioni, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë njëri-tjetrin, por për të përballuar jetën e zakonshme ata duhet të provojnë këtë gjë. Për pasojë, autorët menduan se do të jenë dashur shumë buzëqeshje dhe pantomimim i emocioneve.

Kur kontrolluan të dhënat e disponueshme, ata zbuluan se njerëzit në vendet me “shumëllojshmëri të lartë stërgjyshore”, përfshirë SHBA-në, raportuan se buzëqeshnin më shpesh. Edhe duke parë e analizuar shtet pas shteti brenda SHBA-së, doli në pah i njëjti model.

Nëse të huajt u duken amerikanëve shumë të ftohtë, edhe amerikanët u duken tejet të gëzuar gjithë të tjerëve, atëherë ndoshta historitë e tyre të ndryshme mund të shpjegojnë pse evoluan këto stereotipe. Të paktën, kur njerëzit vërtet duan të kuptojnë njëri-tjetrin, akcentet jo-verbale na tregojnë se është më mirë të flasim. /BBC Future/