Escobar pas takimit me Kurtin: E bëra shumë të qartë, e presim implementimin e Asociacionit

schedule19:46 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 19:46 - 13 Dhjetor, 2022

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ia ka bërë të qartë pritjen e tij kryeminsitrit të Kosovës që të punohet drejt implementimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Escobar ka thënë se gjatë takimit me Kurtin ka thënë se pret angazhim konkret në një të ardhme të afërt mbi këtë çështje.

“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin.

Escobar, ka folur shkurt para mediave.

Ai ka thënë se me Kurtin ka diskutuar edhe për nevojën që secili ta mbajë qetësinë në kohë tensionesh dhe të vazhdohet dialogu.

“Diskutuam për nevojën që çdonjëri të jetë i qetë, për nevojën që të vazhdohet dialogu, për nevojën që të fokusohemi te dialogu i lehtësuar nga BE”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Escobar ka thënë se Kurtit ia ka shprehur mbështetjen e tij që të lëvizë drejt propozimit franko-gjerman. /Express/