Nga Gideon Rachman “Financial Times”
Përktheu Alket Goce-abcnews.al
Për disa konservatorë, çdo krizë e politikës së jashtme është një “Mynih”. Ndërkohë për disa të majtë, çdo luftë kërcënon të shndërrohet në një “Vietnam”. Por ndërsa lufta e Ukrainës po hyn në mënyrë të pashmangshme në vitin e saj të dytë, një analogji më pak e zakonshme po qarkullon gjithnjë e më shpesh, ajo me Luftën e Koresë.
Qëllimi i krahasimit është se Lufta e Koresë nuk përfundoi asnjëherë zyrtarisht. Ajo përfundoi me një armëpushim në vitin 1953, i cili i ndaloi luftimet, por pa nënshkrimin e një traktati zyrtar të paqes. Në vend të tij prej dekadash ka pasur një armëpushim, që në thelb e ngriu konfliktin.
Shpresa se një armëpushim mund të jetë një mënyrë për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë bazohet në 3 ide. Së pari, as Rusia dhe as Ukraina nuk janë në gjendje të arrijnë një fitore totale. Së dyti, pozicionet politike të dy vendeve janë shumë larg njëra-tjetrës për të mundësuar një marrëveshje paqeje. Së treti, të dyja vendet po pësojnë humbje të rënda, gjë që mund ta bëjnë tërheqës një armëpushim, raporton abcnews.al.
Është e vërtetë që Moska flet ende me gjuhën e fitores. Vladimir Putin e krahason veten me Pjetrin e Madh, Carin që fitoi Luftën e Madhe Veriore pasi e luftoi Suedinë për 21 vjet. Por realiteti është se Putini ka dështuar tashmë në Ukrainë. Forcat e tij janë larguar nga Kievi, Kharkiv dhe Kherson.
Mobilizimi i tij i pjesshëm i civilëve, ka nxitur qindra mijëra burra rusë të largohen nga vendi, por nuk arriti të ndryshojë trajektoren në fushën e betejës. Rreth 100.000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur, dhe më shumë akoma po vdesin çdo javë në një luftë brutale llogoresh.
Paaftësia e Putinit për ta pranuar shkallën e katastrofës që i ka shkaktuar vendit të tij, dhe krimet e luftës që ka kryer Rusia në Ukrainë, janë tani pengesat kryesore për arritjen e paqes. Por është shumë e mundur që Moska ta cilësojë një armëpushim më shumë si një ndryshim taktike sesa si pranim i humbjes. Kjo ishte ajo që ndodhi kur Rusia u tërhoq nga Kherson.
Putin u distancua nga vendimi, i cili u njoftua nga komandantët ushtarakë dhe Ministri i Mbrojtjes. Eksperti Sir Laërence Freedman, autor i librit “Politika e Operacioneve Ushtarake nga Koreja në Ukrainë”, sheh një mundësi për negociata në nivelin ushtarak.
Ndërsa thekson se ka dallime të rëndësishme midis luftërave të Koresë dhe Ukrainës, ai mendon se armëpushimi korean tregon mundësinë e “ndalimit të luftimeve, duke i ndarë forcat” – pa një marrëveshje të plotë paqeje. Pa mundësinë për të pretenduar përfitime territoriale apo politike, Putini nuk ka gjasa të jetë në gjendje të shpallë fundin e luftës.
Por ai mund të jetë në gjendje të pranojë një ndërprerje të luftimeve, e cila mund të marketohet për publikun si një përgjigje ndaj këshillave ushtarake apo si një “gjest i vullnetit të mirë”.Por pse ukrainasit duhet ta pranojnë këtë skenar?
Arsyet morale, politike dhe ekzistenciale që ata të vazhdojnë të luftojnë, janë shumë të forta. Vrulli momental në luftë i përket sërish Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka premtuar të rimarrë çdo pëllëmbë të territorit të pushtuar, përfshirë Krimenë, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014.
Pas mizorive të shkaktuara ndaj Ukrainës nga Putin, ideja e çdo lloj marrëdhënieje “normale” me një Rusi të pa reformuar duket e paimagjinueshme për shumë ukrainas. Për më tepër ekziston frika realiste se Rusia do ta përdorte një armëpushim për t’u riarmatosur, përpara se të sulmonte sërish Ukrainën, raporton abcnews.al.
Megjithatë, ka edhe konsiderata të tjera që mund ta bëjnë tërheqës për Ukrainën një armëpushim të zgjatur të stilit korean. Ashtu si rusët, edhe ukrainasit vazhdojnë të pësojnë humbje të mëdha në njerëz. Po ashtu, ata duhet të përballen me një taktikë brutale, por efektive të rusëve:shënjestrimin e qëllimshëm të infrastrukturës ukrainase.
Duke e bërë shumë të vështirë përballimin e dimrit, ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, e bën edhe më të vështirë rikthimin në shtëpi të milionave refugjatëve ukrainas. Madje tani është gati një valë e re refugjatësh. Kur muajt e mërgimit zgjasin me vite, bëhet më pak e mundur që refugjatët të kthehen ndonjëherë në vend, duke krijuar një presion të madh mbi familjet dhe shoqërinë.
Privatisht, disa ukrainas e pranojnë se rimarrja e Krimesë do të shkaktonte luftime edhe më brutale në një përpjekje për të ripushtuar një territor ku shumë njerëz, përfshirë oficerët ushtarakë në pension, janë besnikë ndaj Rusisë. Prandaj edhe ukrainasit kanë disa stimuj për ta “ngrirë” konfliktin, por pa hequr dorë nga qëllimet e tyre përfundimtare politike.
Pengesa kryesore për ta është mungesa e plotë e besimit tek qëllimet e Moskës. Por fakti që aleatëve perëndimorë të Ukrainës u janë zhdukur të gjitha iluzionet mbi natyrën e Rusisë së Putinit, nënkupton se pas armëpushimit Ukraina nuk do të lihet e vetme për t’u përballur me të ardhmen.
Përkundrazi, ka të ngjarë që asaj t’i jepet ndihmë ushtarake dhe një garanci sigurie për ta kthyer në një fortesë, të cilën Rusia do të ngurronte ta sulmonte sërish. Një armëpushim, do t’i jepte mundësinë mbështetësve të Ukrainës të jepnin masivisht ndihmë për rindërtimin e vendit.
Koreja e Jugut u shkatërrua plotësisht pas Luftës së Koresë, por është sot një komb i begatë dhe i përparuar. Ndërkohë, një Rusi që udhëhiqet ende nga Putin, dhe që refuzon të paguajë për krimet e saj në Ukrainë, mund të presë një të ardhme me një izolim të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe një varfëri në rritje. Kur të ndryshojë ky realitet, mund të fillojë më në fund edhe rindërtimi politik i shumëpritur i Rusisë.
/abcnews.al