Popullsia e Italisë ka rënë nën 59 milionë banorë dhe vendi po plaket me një ritëm shumë më të shpejtë se pjesa tjetër e vendeve anëtare të BE-së, sipas një njoftimi nga agjencia kombëtare e statistikave Istat.
Një popullsi në tkurrje dhe në plakje është një shqetësim serioz për një ekonomi të ndenjur si ajo e Italisë, pasi ndër të tjera lidhet me rënien e produktivitetit, më pak inovacion dhe kosto më të larta të mirëqenies.
“Që nga 1 janari 2022, sipas të dhënave paraprake, popullsia e banorëve të përhershëm është ulur në 58,983 milionë”, tha presidenti i Istat-it, Giancarlo Blunzardo në parlamentin e Romës.
Blunzardo, një demograf i njohur, tha se popullsia kombëtare është zvogëluar në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2014 me një humbje totale prej më shumë se 1.36 milionë banorësh.
“Pamja demografike e vendit tonë karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e jetëgjatësisë dhe një rënie përkatëse e ndjeshme e nivelit të lindjeve, gjë që rezulton në plakjen e popullsisë më shpejt se në pjesën tjetër të Europës”, tha ai.
Në shtator, Istat parashikoi se Italia rrezikonte të humbiste pothuajse një të pestën e banorëve të saj, me popullsinë e saj që pritet të shënojë rënie, bazuar në një skenar normal, nga 59.2 milionë në 2021 në 54.2 milionë në 2050 dhe 47.7 në 2070.
Qeveria e kryeministrit Meloni ka propozuar uljen e taksave për shitjen e produkteve të kujdesit për foshnjat dhe rritjen e përfitimeve të mirëqenies së fëmijëve.
/abcnews.al