Aksident i Valteri Botasit në provat e lira në Austri

schedule08:40 - 29 Qershor, 2019

schedule 08:40 - 29 Qershor, 2019

Valteri Botas shpëtoi pa pasoja nga aksidenti i pësuar në provat e lira të Formula 1 në Austri. Piloti I Mercedesit pati një përplasje dramatike, duke e dëmtuar makinën e tij, por vizitat mjekësore dolën pozitive.

Paska qenë Çmimi i Madh i frikës.

Një aksident serioz, por për fat pa pasoja, ndodhi në fundjavën e Austrisë në Formula 1, ndërsa Valteri Botas u përplas me makinën e tij Merdedes.

Piloti finlandez e dëmtoi shumë makinën në një kthesë të fortë të pistës së Red Bullit në Shpilberg, dhe pas kësaj u dërgua për të bërë vizitën mjekësore.

Ndërsa, provat e lira vazhdonin, mjekët për fat dhanë përgjigje pozitive dhe Botasi do të mundë të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Austrisë, pra në provat zyrtare dhe në garën e së dielës.

Një tjetër aksident i ndodhi Maks Verstapenit në timonin e makinës së shtëpisë, Red Bullit, edhe pse më pak dramatik sesa i pari.

Holandezit i doli njëvendëshja nga kontrolli, dhe pas përplasjes iu dëmtua pjesa anësore.

Edhe ai, ashtu si Botasi, nuk mori pjesë më tej në provat e lira.

Më shumë fat pati Sebastian Fetel i Ferrarit, por gjermani e ndaloi “kokëkuqen” në kohë, duke arritur të kthehet në pistë.

Ky ishte lajmi i dytë i mirë për skuadrën italiane, sepse fakti kryesor ishte vendi i parë i zënë nga Sharl Leklerk.

Kjo do të thotë se Ferrari ka mundësi në Austri të sfidojë Mercedesin, që deri tani ka fituar çdo garë.

Kampioni i botës në fuqi, dhe kryesuesi i renditjes, Ljuis Hamilton, doli vetëm në vendin e katërt, ndonëse gjithçka mund të ndryshojë deri të dielën.  /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!