Ish- kryeprokurori Adriatik Llalla ka refuzuar zgjatjen e afateve të hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ankimimi i ish-kryeprokurorit është bërë përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj, ku i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda shfuqizimin e vendimit të prokurorit Klodian Braho që ka kërkuar edhe tre muaj të tjerë kohë për t’i dhënë zgjidhje çështjes.
Hazizaj ka argumentuar, se organi i akuzës ka patur kohën të mjaftueshme në dispozicion për të kryer të gjitha hetimet ndaj ish-kryeprokurorit. Adriatik Llalla akuzohet për pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim të pasurive dhe mosdeklarim i të hollave në kufi. Hetimet kanë ecur me ritëm shumë të ngadaltë për shkak të mos mbërritjes së letërporosive nga Gjermania. Organit të Akuzës i kanë mbërritur disa informacione nga autoritete gjermanë, por prokurori i çështjes Klodian Braho ka dërguar edhe një herë letërporosi duke u kërkuar informacione më të detajuara. Kërkesa e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla do të shqyrtohet në 3 Korrik nga Gjykata e Krimeve të Rënda. /ABC News Albania 24/7