“Beteja” për kryeqytetin, Ilir Alimehmeti: Hyra në garën e Primareve për të fituar, do të bëj çdo gjë ndryshe nga Veliaj

schedule20:21 - 30 Nëntor, 2022

schedule 20:21 - 30 Nëntor, 2022

Mjeku Ilir Alimehmeti do të garojë në Primare për bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi në emisionin “Radar” në Abc, Alimehmeti u shpreh se është i qartë për mbështetjen që ka dhe se nuk do të garonte nëse nuk do të ishte në dijeni të mbështetjes që ka.

Alimehmeti tha se ka një mbështetje shumë të gjerë, që arrin përtej anëtarësisë së Partisë Demokratike.

“E kuptoj shumë qartë se ku është pritshmëria e komunitetit. Jam shumë i qartë mbi çfarë baze mbështetjeje futem. Kam sondazhet e mia, po të kishin dalë në disfavor s’do të kandidoja”, u shpreh Alimehmeti.

Më tej Alimehemti tha se ka hyrë në garë për të fituar. Sakaq ai tha se nëse nuk fiton do të mbështesë kandidatin fitues.

“Kam hyrë në garë për të fituar. Nëse nuk fitoj do të mbështes kandidatin fitues për datën 14 maj. Do të vazhdoj angazhimi politik. Po shkojmë me një frymë ekipi përballë së keqes”, tha Alimehmeti.

Alimehmeti tha se në rast se fiton primaret do të bëjë të kundërtën nga ajo çka po bën kryetari aktual i bashkisë, Erion Veliaj.

“Do bëj të kundërtën totale. Veliajt i mungon transparenca, ndershmëria dhe kuptimi që punohet për qytetarët. Një qytet ndërtohet për qytetarët. Të punosh me njerëzit për njerëzit. Të respektosh të drejtën e votës së njerëzve. Qytetari e ka shumë të qartë se ku i pikon çatia. Do të dilja në nje debat kundrejt Erion Veliajt”, u shpreh Alimehmeti.

Kandidati tha se angazhimi i tij në politik nuk ka ndryshim të madh nga angazhimi i tij në shëndetësi.

“Kjo është vazhdimësi e punës që bëja më parë se dhe ajo që bëja më parë ishte punë me komunitetin. Shëndeti publik dhe shërbimi publik janë pothuajse njësoj, sepse kanë të bëjnë me komunitetin. Sfidat ndryshe por objektivi është i njëjti”, tha Alimehemti.

Mjeku tha se primaret risi dhe se kjo mënyrë zgjedhjesh nuk ka ndodhur ndonjëherë në Ballkan.

“Është hera e parë që ndodh”, tha Alimehmeti./abcnews.al/