Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt, mesnatën e 30 tetorit te Kodra e Diellit dhe e ka shpallur në kërkim.
Krahas tij janë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin gjatë krimit dhe nuk kanë kallëzuar veprën penale.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra mëson se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal rezulton se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin e markës Mercedes Benz shtetasit kosovar Gjelosh Krasniqi me datë 24.10.2022 dhe po në këtë datë këta shtetas e kanë futur këtë automjet ne territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion personit nën hetim Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur atë për realizimin e vrasjes se shtetasit Briken Sanaj dhe me pas e ka braktisur dhe djegur ne rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit.
Për autorin e dyshuar dhe 2 shtetasit e tjerë, bazuar në provat e siguruara nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Prokurorisë së rrethit Tiranë, Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë.
Po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Bazuar në provat e sigurura, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për shtetasit:
Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar pë veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Abcnews.al/