Si nisin revolucionet, dhe si mund të përfundojnë ato

schedule09:11 - 30 Nëntor, 2022

schedule 09:11 - 30 Nëntor, 2022

Nga Nigel Jones “Spectator

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Në mbarë Kinën, vendi më i populluar në botë dhe ekonomia e tij e dytë më e madhe, po shihen skena të paprecedenta që nga masakra e Sheshit Tiananmen të vitit 1989. Qytet pas qyteti turma të rinjsh po dalin në rrugë, duke mbajtur pankarta boshe në shenjë proteste kundër censurës shtetërore, dhe duke kërkuar që të trajtohen “si qytetarë dhe jo si skllevër”.

Shkaku i këtyre shfaqjeve të mospajtimit popullor janë bllokimet tepër të ashpra të regjimit komunist për të ndalur tërësisht përhapjen e infeksioneve me Covid-19, në vendin nga ku e ka origjinën virusi që shkaktoi pandeminë globale.

Por siç ndodh shpesh me protesta të tilla popullore, shkaku fillestar i protestave po zgjerohet në kërkesa për liri, të cilat ne në Perëndim i marrim si të mirëqena, por që ata që po marrin pjesë në demonstratat aktuale nuk i kanë njohur kurrë, raporton abcnews.al.

Disa nga kërkesat e protestuesve – që vijnë nga universitetet, të cilat po trajnojnë elitën e ardhshme qeverisëse të Kinës – tani duket se shkojnë përtej heqjes së bllokimeve të rrepta. Videot e protestave tregojnë protestuesit që po bëjnë thirrje për koncepte të tilla të perëndimore si demokracia dhe zgjedhjet e lira.

Madje ka kërkesa për fundin e sundimit të partisë komuniste, dhe rrëzimin e diktaturës së ripërtërirë se fundmi me mandatin e ri të presidentit Xi Jinping. Ndërkohë, në Republikën Islamike të Iranit, protestat të mëdha kanë nisur që nga shtatori pas vdekjes në ambientet e paraburgimit të Mahsa Aminit, gruaja e re e arrestuar nga policia fetare për shkak të mënyrës së gabuar se si e mbante hixhabin e saj – një mbulesë e kokës që të gjitha gratë iraniane janë të detyruara me ligj që ta mbajnë në vene publike.

Ato po vazhdojnë, madje kanë depërtuar edhe në radhët e kastës së klerikëve, që e kanë udhëhequr vendin me grusht të hekurt që nga viti 1979. Në manifestimin e fundit të pakënaqësisë së gjerë popullore, Farideh Moradkhani, vetë mbesa e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, publikoi një video duke e kritikuar ashpër udhëheqjen e vendit.

Ajo u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndërpresin të gjitha lidhjet me regjimin e udhëhequr nga xhaxhai i saj, derisa të ndalojnë shtypjen brutale të trazirave, të cilat deri më tani i kanë marrë jetën më shumë se 400 njerëzve. Gjesti i saj i guximshëm, pasoi refuzimin po aq të guximshëm nga kombëtarja e futbollit për të kënduar himnin para ndeshjes së saj të parë në botërorin e Katarit.

Pra, a nënkuptojnë këto shpërthime protestash të njëkohshme por të rastësishme kundër regjimeve represive në Pekin dhe Teheran, se Ajatollahët duhet të frikësohen seriozisht për të ardhmen e shtetit të tyre? A duhet të mendojë presidenti kinez Xi një karrierë të ardhshme larg politikës?

Një perspektivë e tillë duket ende një mirazh i largët në të dyja rastet. Siç e tregoi masakrimi i qindra studentëve disidentë të panjohur në sheshin Tiananmen të Pekinit në vitin 1989, sundimtarët e Kinës nuk do të ndalen para asgjëje për të shtypur çdo kundërshtim serioz ndaj sundimit të tyre diktatorial.

Për më tepër, në 3 dekadat e fundit që kur “njeriu i panjohur që i doli përpara tankut” nisi të simbolizojë frymën e rezistencës së Kinës, duke qëndruar i vetëm në shesh para një autokolone me mjete të blinduara që po shkonte në qendër të Pekinit, përparimi i teknologjisë e ka forcuar represionin e shtetit totalitar.

Regjimi kinez i burgos dhe vret kundërshtarët e tij pa u menduar dy herë. Njohja e fytyrës, marrja e gjurmëve të gishtërinjve të ADN-së dhe sistemi i ‘vlerësimit të kreditit social’ të Kinës, janë kombinuar së bashku për të garantuar që vetëm më guximtarët – ose më të dëshpëruarit – të guxojnë të ngrenë zërin kundër tij.

Por teknologjia i ka ndihmuar gjithashtu edhe ata që janë mjaftueshëm të guximshëm për të kundërshtuar. Pavarësisht përpjekjeve energjike të regjimit për të fshehur dhe censuruar të vërtetën, imazhet dhe mesazhet në mediat sociale po tregojnë protestat dhe represionin e regjimit.

Ato po shihen dhe dëgjohen në të gjithë vendin. Si një regjim i egër dhe me mjete të ngjashme represioni në dispozicion, edhe Irani e ka treguar shpeshherë vullnetin e tij për të shtypur me dhunë demonstruesit dhe për të ekzekutuar në masë kundërshtarët.

Megjithatë, historia tregon se rënia e regjimeve autoritare që i shtypin njerëzit e tyre në ekstrem, mund të vijë me një shpejtësi të papritur dhe të paparashikuar. Ajatollahët e Iranit duhet të kujtojnë historinë e tyre, e cila ofron një leksion se si revolucionet mund të shpërthejnë befas.

Republika Islamike u krijua vetëm pasi demonstratat e gjata dhe të përgjakshme kundër regjimit të mëparshëm të Shahut, u përshkallëzuan pas më shumë se një viti pakënaqësish të mëdha. Duke e sfiduar policinë sekrete të frikshme të Shahut, SAVAK, dhe plumbat e ushtarëve të tij, turma gjithnjë e më të shumta dolën në demonstrata masive kundër tij, raporton abcnews.al

Pika e kthesës erdhi kur forcat e sigurimit të Shahut u lodhën nga shtypja e vëllezërve dhe motrave të tyre, dhe iu bashkuan revolucionit. Monarku mërgoi dhe Ajatollah Khomeini mbërriti për të inauguruar themelimin e Republikës Islamike.

Ngjashëm, qeverisja e Partisë Komuniste Kineze ka vuajtur në mënyrë të përsëritur nga spastrimet vrastare dhe largimi i liderëve të partisë që kanë bërë gabime, apo që e kanë humbur simpatinë e atyre që sundojnë. Tani për tani, Xi Jinping dhe Ajatollah Khameini mund të flenë të qetë në shtratin e tyre, por regjimet e lindura derdhja e gjakut, mbyten shpeshherë në këtë të fundit.

/abcnews.al