Ndërtoi bujtinë në Valbonë bashkë me familjen, i riu: E dua vendin tim, doja të investoja këtu

schedule22:07 - 28 Nëntor, 2022

schedule 22:07 - 28 Nëntor, 2022

Klement Selimaj është 30 vjeç. Është më i madhi i familjes, ai drejton bujtinën Jezerca. Është ndër më të njohurat në Luginën e Valbonës. Me pasionin për punën dhe dashurinë për vendin e tij, hap pas hapi ia ka dalë të krijojë këtë ambient të bukur rreth bujtinës së tij.

“Ne e kemi filluar nga viti 2013 që kemi filluar nga një bujtinë që ka qenë e ndërtuar këtu nga të parët, gjyshërit e mi. E kemi restauruar, pastaj kemi ngritur një restorant sepse është dashur që të jetë dhe shërbimi i gatimit, normalisht për t’ia ofruar turistëve, pastaj u zgjeruam me këto vilat, ose siç quhen bujtina prej druri”.

Klementi nuk ka menduar asnjëherë të emigrojë. Qysh fëmijë ai është angazhuar në biznesin e tij familjar për ta rritur e përmirësuar vit pas viti.

 “Ideja më së shumti ka qenë e imja, siç thashë edhe më parë isha fëmija më i madh i familjes mendova se para se të emigroja, se me thënë të drejtën e desha ndoshta pak më shumë se shumë të tjerë vendin tim. Kisha një lloj dëshire të bëja diçka në vendin tim para se të ikja, se mendoj se në momentin që ti largohesh ose emigron është pak e vështirë të kthehesh dhe të përballesh me vështirësitë që kanë qenë edhe janë në Shqipëri, ekzistojnë se nuk mund të themi që nuk ekzistojnë vështirësitë. Sidomos të kesh një biznes në një zonë të thellë malore në ato vite nuk ishte as infrastruktura as energjia elektrike nuk ishte e sigurt, as tani nuk ka ndonjë siguri të madhe për sa i përket energjisë, kemi kaluar shumë vështirësi në kohën kur e filluam. Gjithsesi me iniciativë, me përkushtim, deshëm të bënim diçka dhe ja arritëm, domethënë ishte një këmbëngulje e fortë dhe punë e jashtëzakonshme e imja dhe e familjes që të arrijmë këtu ku jemi sot”. /Abcnews.al./