TIRANË – Policia i ka thënë “Jo” Sali Berishës për të protestuar para Kryeministrisë më 6 dhjetor, ditë kjo që përkon me ardhjen e krerëve europian në Shqipëri, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Policia nuk ka pranuar kërkesën nga PD, për protestë me argumentin se cënohet siguria kombëtare, për shkak të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Në përgjigjen e policisë për PD theksohet se në vendin ku kërkohet të mbahet protesta, janë marrë masa për ruajtjen e sigurisë dhe çdo organizim i kësaj natyre përbën rrezik për sigurinë.
Policia thekson se protesta mund të bëhet jashtë perimetrit të sigurisë.
“Vendosa të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 06.12.2022, ora 12.00 deri në orën 16.00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim Tuajin për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimietrit të sigurisë”
Ju sjellim në vëmendje se, për veprime në kundërshtim me ligjin, do të ndërmerren masa administrative dhe penale, në zbatim të gërmes “a”, neni 24, i Ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Per Tubimet”, neni 262 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, përfundon letra e Lorenc Panganikajt.
Perimetri i sigurisë i lajmëruar nga policia:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.
Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.
Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.
Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagar –
Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga Asim Zeneli, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga Fatmir Haxhiu”.
Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.
/abcnews.al/