Policia e Shteti ka publikuar pamjet me dron nga megaoperacioni i djeshëm në Frakull të Fierit ku u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës.
Policia gjeti dhe sekuestroi 24 ton pleh kimik, rreth 600 thasë brenda të cilëve kishte të fshehur kokainë dhe fishekë.
Operacioni antidrogë i koduar “Konsistenca” u zhvillua nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK, dhe në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë përfunduar me sukses dhe në një konspiracion të plotë, hetimet në kuadër të një procedimi penal, për një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta (kokainë), me angazhimin e një numri të konsiderueshëm të oficerëve të policisë gjyqësore dhe të agjentëve gjyqësorë dhe kanë ekzekutuar deri më tani, për 10 shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë kryer kontrollin e 14 ambienteve, në qytete të ndryshme (Tiranë, Lushnjë dhe Fier), dhe si rezultat, janë sekuestruar: 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, rreth 16 000 euro dhe 20 paleta me rreth 24 ton “pleh artificial”, brenda të cilit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se gjendet një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro.
Itinerari i drogës:
Ngarkesa e drogës ka mbërritur në 7 korrik në portin e Tivarit, nga porti Buenaventura në Kolumbi me anijen “Monte Cervino”.
Në kontejner ndodheshin 20 paleta.
Sinjali i parë që paletat ishin ngarkuar me diçka më të shtrenjtë dhe jo me pleh artificial, ishte diferenca e madhe në vlerën e ngarkesës dhe transportit të saj.
Është kryer skaner dhe skaneri nuk ka zbuluar ngarkesën.
Sapo ka mbërritur kontejneri në port zyrtarët e drejtorisë së doganave në Mal të Zi kanë hapur kontejnerin dhe kanë shkarkuar mallin, ku fillimisht nuk kanë mundur të konstatojnë përbërjen e saktë kimike të mallit të ardhur në vend me pajisjet që kishin në dispozicion.
Më pas agjentët e doganës kanë njoftuar policinë, dhe më pas policia shkencore ka konstatuar përbërjen kimike.
Pas kësaj janë njoftuar autoritetet shqiptare, ku ka nisur përgjimi sekret, monitorimi i transportit dhe dorëzimit të kontrolluar./Abcnews.al/