Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi këtë të mërkurë se arritja më e madhe e tij gjatë këtyre 4 viteve është se kryeqyteti është bërë më i njerëzishëm dhe solidar. Ai ishte i ftuar në emisionin “Byro Politike” ku bëri bilancet e punës gjet mandatit në drejtimin e kryeqytetit. Veliaj theksoi se ka pasur investime në infrastrukturë, por arritje e madhe e tij është se janë kthyer ndjesitë komunitare.
“Njerëz të ndryshëm shohin arritje të ndryshme. Ajo që unë do theksoja si arritje më e madhe nuk është ajo që duket, që është infrastruktura. Unë them që qyteti është bërë më i njerëzishëm, është bërë më solidar. Janë kthyer ndjesitë komunitare duke filluar nga administratori i pallatit, tek një grup banorësh që mblidhen bashkë për të rregulluar fasadën dhe të bërit të qytetit më të njerëzishëm e bën më të lehtë pastaj dhe punën tjetër të infrastrukturës. Ndoshta dikush do thoshte, sheshi, Pazari, lodrat, shkollat etj. Të gjitha janë të mira, por të gjitha në fakt janë hapësira për njerëzit dhe fakti që jemi bërë më të njerëzishëm jemi bërë më të njerëzishëm më bën të jem më shpresëplotë për çfarë vjen për Tiranën. Unë them që qytete me infrastrukturë ka gjithandej, por ajo që nuk është gjithandej. Ajo që kishim humbur besoj nuk ishin vetëm malet me plehra, pusetat ku binim, gropat, por ne kishim humbur edhe solidaritetin me njëri-tjetrin. Nuk i thonim njëri-tjetrit “mirëmëngjesi, mirëmbrëma, bravo të qoftë jam krenar për ty, provoje prapë. Kjo më duket sikur është kthyer edhe në qoftë se më pyet mua kjo arritje që është pak më shumë shpirtërore më duket më shumë se ato fizike” , tha Veliaj.
Për sa i përket gabimit më të madh që ka bërë gjatë mandatit të tij 4-vjeçar, Veliaj foli për teatrin. Ai theksoi se nuk duhet të kishte pritur kaq shumë kohë për ndërtimin e tij.
“Gabimi më i madh është që ndoshta në ca gjëra mora më shumë kohë se ç’duhet. Fjala vjen teatri. Teatri Duhet të ishte sot ku jemi me stadiumi. Pra i dëgjon të gjitha palët, por ka një shumicë që vendos dhe ti ecën përpara. Insistimi im t’i dëgjojmë të gjithë, të bindim 99.99% e njerëzve arrita të kuptoj si te lodrat, si tek sheshi, si tek pazari, nuk i bind dot 100% të njerëzve. Duhet të ketë një masë. Nuk mund të debatohet diçka 2 vjet. Sheshi Skënderbej u debatua 10 vjet. Pas 10 vjetëve më mirë që morëm një vendim. Ajo që kuptova është audienca e sheshit dhe pazarit është një çikë më gjenerike, por e teatrit është më specifike, pra kateringu që duhet t’i bësh, por gjykoj që humbasim kohë të çmuar që nuk kthehet më. Kur ti zbulon që ata që janë kundër teatrit në fakt ishin kundër lodrave dhe në fakt janë edhe tani kundër zgjedhjeve me këtë lëvizjen “Edhe unë” që në fakt është lëvizja “Me too” që i referohet atyre që janë përdhunuar nga dikush, nuk e di kush i ka dhunuar këta përveçse udhëheqësve politikë. I kopjojnë keq dhe ti zbulon që këta janë kundër çdo gjëje. Më pyete çfarë kisha peng. Peng kisha që te projektet e mëdha do doja që në listën e gjatë ta kisha dhe këtë megjithatë do jetë diçka që do e filloj mandatin e dytë”, tha Veliaj./abcnews.al