Napoli është gati të kthejë fanellën me numrin 10 të Maradonës, që të bindë Hames Rodrigezin të bashkohet me skuadrën e trajnerit Ançeloti. Klubi napolitan kërkon të forcojë skuadrën për të pretenduar titullin në Serinë A
E tillë është Seria A sot, sidomos për shkak edhe të dominimit të plotë të Juventusit.
Klubet e tjerë po përpiqen brenda mundësive (ndonjëherë duke rrezikuar shumë) për të sfiduar “Zonjën e Vjetër”, por jo gjithnjë u dalin llogaritë.
Napoli duket se ka menduar një zgjidhje tjetër.
Presidenti Aureolio De Laurentis është gati të shkelë mbi atë që ka bërë më parë, të kthejë numrin 10, për të bindur Hames Rodrigezin që të bashkohet me skuadrën e tij.
Numri 10 tek Napoli u tërhoq për nder të “qiellorit” Maradona, por edhe vetë Diego nuk do të ishte kundër që fanella të shfaqej sërish në fushë, mjaft që skuadra e kaltër të përforcohej.
Tërheqja e fanellës magjike ndodhi pasi argjentinasi i madh udhëhoqi skuadrën e Italisë së Jugut drejt dy titujve të parë dhe të vetëm kampion në histori, pasi fitoi edhe Kupën e Italisë, si dhe Kupën UEFA.
Për një Seri A që duhet të kënaqet me “thërrimet” e Spanjës apo Anglisë, një kampion si Hames Rodrigezi është një bekim.
I marrë për 75 milionë euro nga Reali, ai ishte pjesë e Bajernit, dhe vlerësohet si një “galaktik”.
Jo më kot ai ishte shënuesi më i mirë i Kupës së Botës të vitit 2014 në Brazil, dhe u bë pjesë e skuadrës më të mirë të turneut.
Tifozët napolitanë, që nuk vënë gjë mbi Maradonën, do të vënë dorën në zemër, besohet, dhe të pranojnë “sakrilegjin” e presidentit të tyre.
Kjo mund ta ndihmojë Napolin që të sfidojë më seriozisht Juventusin dhe pse jo, të pretendojë më në fund të fitojë titullin, ashtu si në kohët e arta të viteve 80-të./ABC News Albania 24/7