Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një projekt/buxhet për emigrantët në kufi me Meksikën. Ndërkohë, republikanët kanë kërcënuar se do ta bllokojnë draftin në Senat, pasi nuk bien dakord me mënyrën e shpenzimit të fondeve.
Demokratët në Kongresin amerikan kanë aprovuar një buxhet prej 4.5 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Vdekjet e fundit të emigrantëve dhe raportimet për mbajtjen në kushte çnjerëzore të fëmijëve të tyre i hapën rrugë miratimit të fondit.
Por drafti pritet të përballet me një pengesë të fortë në Senatin e kontrolluar nga republikanët, që po konsideron miratimin e një drafti rival me më pak kufizime për përdorimin e fondit nga agjencitë ligjzbatuese që kontrollojnë kufirin.
Varianti demokrat, ndryshe nga ai republikan, parashikon që fondi të përdoret vetëm për ndihma humanitare dhe jo për operacione kundër emigracionit, apo ngritjes së kampeve për mbajtjen e refugjatëve dhe ngritjen e murit në kufi. Sidoqoftë, drafti kaloi me 230 vota pro dhe 195 kundër, i kundërshtuar edhe nga disa prej demokratëve.
Duke reaguar, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidentit Trump do t’i sugjerohet nga këshilltarët që të vendosë veton ndaj draftit nëse ai shkon në tryezën e tij në formën aktuale.
Administrata amerikane akuzoi demokratët se po përpiqen të përfitojnë politikisht duke shfrytëzuar krizën aktuale të emigracionit./ABC News Albania 24/7