Dhuratë nga Kina, ngordh panda gjigante në Tajvan

schedule08:04 - 20 Nëntor, 2022

schedule 08:04 - 20 Nëntor, 2022

Një panda gjigante të cilën Kina ia kishte dhuruar Tajvanit në vitin 2008 ka ngordhur pasi ishte sëmurë, ka thënë kopshti zoologjik i Taipeit.

Tuan Tuan dhe partneri i tij i mbarështimit Yuan Yuan iu dhanë Tajvanit kur marrëdhëniet me Kinën ishin më të përzemërta.

Por marrëdhëniet janë përkeqësuar që atëherë, me Pekinin, i cili prej kohësh e ka konsideruar Tajvanin si një provincë të shkëputur, duke u bërë më luftarak.

Kopshti zoologjik vuri re për herë të parë se Tuan Tuan ishte i sëmurë në gusht kur filloi të vuante nga konvulsionet.

Veterinarë nga Kina u thirrën për ta ekzaminuar dhe skanimet treguan se ai kishte një lezion në tru dhe i ishte dhënë mjekim.

Gjendja e ariut 18-vjeçar u bë “e pakthyeshme” dhe ai nuk mund të “jetonte më një jetë cilësore”, thuhet në një deklaratë nga kopshti zoologjik.

Ndërsa dy arinjtë u dhuruan gjatë një periudhe marrëdhëniesh më të ngrohta midis fqinjëve, emrat e tyre të kombinuar në fakt do të thonë “ribashkim” ose “unitet”, një referencë e mundshme për dëshirën e Kinës për të rimarrë Tajvanin një ditë.

Presidenti i Kinës Xi Jinping e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të tij dhe në një fjalim muajin e kaluar në Kongresin e Partisë Komuniste në Pekin, Xi refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës për t’u bashkuar me Tajvanin.

Kina ka përdorur pandat e saj për të ndihmuar në nxitjen e lidhjeve diplomatike me vendet për më shumë se gjysmë shekulli dhe i jep hua panda vetëm kopshteve zoologjike të huaja, të cilat zakonisht duhet të kthejnë çdo pasardhës brenda pak viteve nga lindja e tyre për t’u bashkuar me programin e mbarështimit të vendit.

Që kur themeluesi i Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun, përdori pandat si një mënyrë për të hyrë në diskutime politike me vendet e tjera, kafsha ka qenë një thesar kombëtar.

Pas mbërritjes së tyre në Taipei, Tuan Tuan dhe Yuan Yuan u bënë atraksione të mëdha dhe Yuan Yuan lindi dy këlyshë femra, Yuan Zaibap në 2013 dhe Yuan Bao në 2020./Abcnews.al/