Luçiano Boçi është duke u zgjedhur si kandidati që do të dalë përballë socialistëve në zgjedhjet e 14 majit për bashkinë e Elbasanit duke bërë kështu që të detyrohet të lërë mandatin para regjistrimit në KQZ.
Boçi tha sot se ka mbështetjen edhe të grupit të Alibeajt për Elbasanin duke theksuar se është kandidati i vetëm në garë.
“Nuk kam raste që ka anëtarë apo njerëz të tjerë simpatizantë që janë kundër daljes së një kandidati se ai që propozon, propozon një e nuk vendos kushte që duhet patjetër që njëri të ketë përballë një tjetër. Procesi i përballjes është një proces natyral brenda një gare si janë primaret por dhe kandidimet e tjera.
Përballjet konceptohen si gara dhe simpatie dhe dakordësie dhe mund të jenë dhe me një kandidat si në rastin tim por më tej do ketë një vendimmarrje të Kryesisë së PD. Rasti im nuk mund të jetë rasti i vetëm, unë e artikulova si rast bashkëpunimi dhe dakordësisë midis atyre që kanë qenë të interesuar për të marrë pjesë në garë.
Grupimin tjetër unë e artikulova, kam dhe dakordësinë e tyre, nuk është deklaratë formale. Kontaktet tona kanë qenë dhe janë të vazhdueshme e kontaktet e mia personale do jenë të vazhdueshme për të realizuar atë funksionim të gjitha forcave tona që i kemi pasur dikur, i kemi e do i shtojmë që të arrijmë objektivin e fitores në Bashkinë e Elbasanit”, tha ai sot para gazetarëve.
Por, kandidatimi i Boçit për Elbasanin do të lërë një vend të lirë për deputet në radhët e demokratëve, i cili duhet mbushur.
Kështu, pas lënies së mandatit nga Boçi, sipas të dhënave të KQZ-së, në vend të tij do të jetë Qani Xhafa, ish-kreu i Komunës Labinot Mal. /abcnews.al