Në Turqi po përsëriten zgjedhjet për qytetin e Stambollit, me sondazhet që nxjerrin fitues kandidatin e opozitës. Por përveç garës mes dy rivalëve, zgjedhjet përbëjnë një sfidë edhe për të ardhmen e presidentit Recep Taip Erdogan, dikur kryetar bashkie i Stambollit.
Banorët e Stambollit po u rikthehen kutive të votimit këtë të diel për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, pasi fitorja surprizë e kandidatit të opozitës në muajin mars u anulua.
Ekrem Imamoglu fitoi me 13 mijë vota plus, duke nxitur partinë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim të pretendonte për parregullsi. Nga ana e tij, Imamoglu është zotuar se do të luftojë për demokracinë dhe sondazhet sugjerojnë se ai do ta mposhtë sërish ish-kryeministrin Binali Yidirim.
Sfida ka gjithashtu një rëndësi të veçantë për të ardhmen e presidentit Recep Taip Erdogan. Si ish-kryebashkiak i Stambollit, Erdogan ka deklaruar disa herë se kush merr Stambollin merr gjithë Turqinë. Imamoglu, 49 vjeç, vjen nga radhët e partisë laike Republika Popullore dhe aktualisht është kryetar i komunës Bejlikduzu.
Ndërsa kundërshtari i tij, Yildirim ka qenë pjesë e themeluesve të partisë së Erdogan dhe kryeministër nga viti 2016 deri në 2018, kur Turqia u kthye në një republikë presidenciale dhe roli i kreut të qeverisë pushoi së ekzistuari.
Ai u zgjodh kryetar i Parlamentit në muajin shkurt dhe më parë ka mbajtur edhe postin e ministrit të Transporteve. Emri i Imamoglu ndërkohë nuk ishte shumë i njohur përpara se ai të angazhohej në garën elektorale të marsit.
Parulla e tij elektorale, “gjithçka do të jetë e drejtë” ka sjellë një valë optimizmi në një qytet ku shumë banorë kanë mbetur të zhgënjyer nga kriza ekonomike, për të cilën fajësojnë qeverinë./ABC News Albania 24/7