Teksa ishte ndalur në takimin elektoral në Përmet, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi arsyen se pse opozita do të pengojë zgjedhjet. Sipas tij, ata janë të interesuar për të sjellë imazhin e keq të Shqipërisë që të mos hapen negociatat me BE-në.
“Pse ndodh kjo në fakt? Për shkak se Shqipëria është gati të hapë negociatat me BE-në dhe ata duan me çdo kusht dy gjëra, e para të marrin peng zjedhjet që këtu të hyjë vendi në një rrugë ku nuk dihet se ku është stacioni tjetër dhe e dyta ta bëjnë Shqipërinë zhele në sytë e Europës. Prandaj gëzohen. E keni parë sa të gëzuar janë kur thonë doli fotografia me kazanin e plehrave që digjet në “Washington Post”, doli në “Le Monde”. Pse gëzohen? Ta gëzohen se për atë e bëjnë protestën.
Ato protesta për atë punë bëhen, që të shpërndajnë kudo një pamje të shëmtuar destabiliteti, rrëmuje, konfuzioni, populli që është ngritur dhe që miqtë tanë që duan të na mbështesin për hapjen e negociatave të thonë ‘nuk mund të hapim negociatat me këtë vend, kur nuk merr vesh i pari të fundit dhe ku nuk bëhen zgjedhje’ dhe ata që s’duan të kenë të gjitha argumentet dhe të thonë, “ore ça negociatash do hapni me këta ju”. Për këtë bëhet sepse me hapjen e negociatave fillon avazi i drejtësisë”, tha Rama.
Përgjimet e publikuara në gazetën Bild janë zgjedhur posaçërisht sipas kreut të qeverisë që të krijojë konfuzion tek Europa.
“Përgjimet e bëra në 2016-n që nuk e hetuan, nuk u provuan, nuk u ndëshkua askush, por u mbyllën dhe shkuan te partia dhe tani na dalin në Gjermani. Pse në Gjermani? Që të çuditet Europa, që të shqetësohet vendi më mik dhe aleat i Shqipërisë dhe të thotë “ore ca janë këta, ça bëjnë këta”. Hajde shpjegoi, hajde merru vesh se në fakt janë muhabete që s’i kupton dikush që lexon jashtë me gjithë këtë konfuzion, duan ta bëjnë Shqipërinë vendin e njerëzve me bisht. Kjo është gjëja më e rëndë dhe anti-kombëtare që nga koha e Haxhi Qamilit dhe Esat Pashës”, tha Rama./abcnews.al