Gjykata vendos “arrest në shtëpi” për Bardh Spahinë

schedule13:07 - 22 Qershor, 2019

schedule 13:07 - 22 Qershor, 2019

Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-deputetin Bardh Spahia. Ai deklaroi në gjykatë se shkoi për të qetësuar situatën në KZAZ nr. 3 në Shkodër ndërsa e konsideroi arrestimin e tij si një prapaskenë politike. Diteën e sotme u dhanë masat edhe për pesë persona të tjerë që u arrestuan pas përplasjes që ndodhi në shkollën “Shejnaze Juka”.

Nën masa të rrepta sigurie u shoqërua në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër ish-deputeti Bardh Spahia.

Bashkë me të për masën e sigurisë ishin edhe 5 persona të tjerë të arrestuar pas përplasjeve për lirimin e ambienteve në KZAZ nr. 3 në Shkodër ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.

Spahia mbrohet nga avokati Ivi Kaso dhe seanca e tij ishte e ndarë nga punonjësit e bashkisë së Shkodrës dhe të ndaluarit e tjerë.

“Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike”, tha gjatë seancës Spahia.

Ndërsa avokati i tij mbrojtjës Ivi Kaso deklaroi se Spahia ka qenë i pranishëm në grumbullimin e njerëzve për të qetësuar situatën dhe policia duhet të priste urdhrin e prokurorit  për ta arrestuar.

Në fund, trupi gjykues i drejtuar nga Tonin Sterkaj pasi dëgjoi edhe kërkesën e prokurorisë vendosi arrest shtëpie për ish-deputetin Spahia. Ai u arrestua të enjten kur po shkonte në një studio televizive ndërsa gjatë kësaj kohe është mbajtur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Jashtë ambienteve të gjykatës ndodheshin 3 furgona të FNSH, forca operacionale dhe forcat e rendit si dhe simpatizantë të shumë të PartisË Demokratike. Ish-deputetët e PD-së kërkuan lirimin e menjëhershëm të Bardh Spahisë.

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë për Alfred Nikollin dhe Gentian Bytyçin, arrest shtëpie për Adi Garuçin dhe Aleks Ndojin. Ndërsa për 17-vjeçarin  Orlando Thepi u dha masa detyrim paraqitje./ABC News Albania 24/7