Deputeti demokrat Flamur Noka, nga Foltorja e Kuvendit ku po diskutohet prej dy ditësh projekt buxheti i vitit 2023, pati kritika për miratimin e procedurës së përshpejtuar për Portin e Durrësit.
Noka: Ka një gjë që i dogji më shumë shqiptarëve. Urgjenca me të cilën sulltani i Surrelit i imponoi futjen e projektit të Portit të Durrësit Kuvendit. Çfarë urgjencë kishte ky projekt që të futej ditën e buxhetit? Sepse vëmendja do fokusohej te buxheti. Pas kësaj afere fshihet kryeministri dhe banda e tij se nuk shpjegohet ndryshe. Pse duhet të ketë përjashtim nga taksat? Askush nuk tha asnjë fjalë. pse nuk u bë me garë të hapur? Do t’i ngelet turp dhe njollë në histori këtij Kuvendi që e fut dhe e voton vjedhjen e një prej pronave më të mira të këtij vendi.
Duke u ndalur të buxheti, Noka tha se pas termit dyfishim buxheti duhet të vijë termi tjetër; dyfishim rrogash, pensionesh dhe shërbimesh për të përmirësuar cilësinë e jetës së shqiptarëve.
Noka: Por jo, ka vetëm një gjë që dyfishohet, tenderat dhe konçensionet sepse qeveria ka vendosur të dyfishojë vjedhjen. “Shtrëngo rripin Thanas” i thotë qytetarëve Edi Rama. asnjë masë në këtë buxhet për të lehtësuar rritjen e çmimeve. Kjo qeveri tregoi edhe një herë që ka një cilësi; pangopësi.
Sipas deputetit buxheti është i keq për shqiptarët sepse vetëm rrit shpenzimet dhe nuk hap vende pune. Buxheti, sipas tij, jep më pak para në xhepat e shqiptarëve dhe e varfëron popullin e gomoneve.
Noka: Ky është buxheti i gomoneve, i shpopullimit të Shqipërisë. Edi Rama nuk e do këtë vend ndaj harton një buxhet të tillë. Ky është buxheti i gomoneve për ta shpopulluar Shqipërinë. /Abcnews.al/