SHBA konfirmon rrëzimin e dronit

schedule23:40 - 20 Qershor, 2019

schedule 23:40 - 20 Qershor, 2019

Rrezimi i një droni ushtarak amerikan nga pala iraniane ka shkaktuar reagime të shumta. Presidenti Donald Tramp ka deklaruar se Republika Islamike bëri një gabim të rëndë. Ndërkohë, vendet arabe kanë paralajmëruar masa ndaj Teheranit.

Presidenti Donald Trump deklaroi të enjten se Irani bëri një gabim shumë të rëndë me rrëzimin e një droni ushtarak amerikan, për të cilin Teherani tha se po kryente një mision përgjimi në territorin e tij.

Sidoqoftë, incidenti ka rritur frikën për një përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara, që e cilësuan episodin një “sulm të paprovokuar” në hapësirë ajrore ndërkombëtare, kanë ndërmarrë një fushatë për të izoluar Iranin me qëllim për të penguar programin bërthamor dhe për të reduktuar rolin e tij në luftërat rajonale.

Rrëzimi i dronit është i fundit në një seri incidentesh në rajonin e Gjirit të Omanit, pas sulmeve me eksploziv ndaj anijeve-cisternë, të cilat kanë çuar Teheranin dhe Uashingtonin drejt konfrontimit. “Irani bëri një gabim shumë të madh”, u shpreh Trump në një postim në profilin e tij në Tëitter. Mbetet e paqartë se si Shtetet e Bashkuara mund t’i përgjigjen veprimit të Republikës Islamike, por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi pelozi deklaroi se Uashingtoni nuk ka dëshirë të angazhohet në një luftë me Iranin.

Ky i fundit ka mohuar përfshirjen në sulmet ndaj anijeve-cisternë, por sidoqoftë sulmet kanë bërë që çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare të rritet. Vetëm të enjten rritja ishte me 3 dollarë, duke shkuar në 63 dollarë për fuçi. Arabia Saudite, aleati kryesor i Uashingtonit në Lindjen e Mesme, deklaroi se Irani kishte krijuar një situatë të rëndë me sjelljen e tij agresive dhe se Mbretëria po konsultohet me vendet e tjera arabe për hapat që do të marrë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!