E ndërsa në Shkodër vazhdon të jetë e tensionuar situata, aty ku mbështetësit e opozitës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi po kundërshtojnë takimin elektoral të kryeministrit Edi Rama, në studion e ABC News ish- deputeti Enkelejd Alibeaj ka komentuar përplasjet.
Rama nga Vau i Dejës gjatë fushatës elektorale tha se duan të përsërisin 2 Prillin në Shkodër. Ish-deputeti i PD-së është shprehur se ta provojë Rama të përsërisë një 2 Prill të dytë në Shkodër dhe do të gjejë fundin.
“Kryeministri ka përmendur 2 Prillin sot? Çfarë do të shkojë dhe të vrasë njerëz në Shkodër? Por le ta provojë, se shkodranët e kanë akoma të gjallë atë çfarë ka ndodhur në 2 Prill , ku etërit politik të këtij njeriu shkaktuan atë. Arkitektin e vrasjeve të 2 Prillit e ka kryetar parlamenti ky. Nëse do ta provokojë sikur por duket do të gjejë një fund të cilin etërit e tij nuk e gjetën dikur. Sot nuk është përplasje mes PS-së dhe PD-së, sepse në ata që quhen organizime të tonat një pjesë e madhe janë edhe socialistë, jo rilindas që ta bëjmë dallimin. Ata janë socialistë. Janë njerëz të cilët duan të punojnë në këtë vend dhe kanë besimin e tyre politik tek e majta. Sot përplasja është midis një grushti të vogël oligarkësh dhe kriminelësh, ata të cilët vidhini vota siç i patë dhe i dëgjuat”.
Nga përplasja, sot në Shkodër protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe të marshojnë drejt sheshit ku është planifikuar të zhvillohet takimi i Ramës. Përpjekjes së protestuesve për të çarë kordonin, policia i është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës ndërsa ndaj efektivëve janë hedhur gurë dhe sende të tjera./abcnews.al